Kryeministri nacionalist hungarez Viktor Orbán shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke thënë se ai dhe partia e tij, Fidesz, kishin mbrojtur “lirinë dhe sovranitetin e Hungarisë”.
I rrethuar nga anëtarët kryesorë të partisë, triumfuesi Orban, 58 vjeç, tha se ata kishin fituar zgjedhjet pavarësisht nga të gjitha perspektivat e këqija.
“Ne kemi arritur një fitore aq të madhe sa mund të shihet edhe nga hëna”, tha Orban, duke shtuar: “Ne kemi mbrojtur sovranitetin dhe lirinë e Hungarisë”.
Rezultatet paraprake pas 98 përqind të votave të numëruara në listat e partive kombëtare treguan se partia Fidesz e Orbanit kryeson me 53.1 përqind të votave, krahasuar me 35 përqind për aleancën gjashtëpartiake të opozitës të Peter Marki-Zay.
Fidesz ka avantazh edhe në 88 nga 106 njësitë zgjedhore në të cilat zgjidhet një deputet.
Duke pranuar humbjen, Marki-Zay, 49 vjeç, tha se fitorja e Fidesz ishte rezultat i asaj që ai e quajti makinën e tij të madhe të propagandës, duke përfshirë dominimin e medias.
“Nuk dua ta fsheh zhgënjimin, trishtimin tim… Ne e dinim se kjo do të ishte e pabarabartë,” tha ai.
“Ne e pranojmë se Fidesz fitoi shumicën dërrmuese të votave. Por ne ende po debatojmë nëse këto zgjedhje ishin demokratike dhe të lira”, shtoi Marki-Zay.