Kryesore “Organizatorë të grevës”, kush janë tre kontrollorët që janë ndaluar nga Prokuroria

“Organizatorë të grevës”, kush janë tre kontrollorët që janë ndaluar nga Prokuroria

Tre kontrollorë ajrorë, punonjës të Albcontrol që monitoron hapësirën ajrore të Shqipërisë, janë ndaluar për shpërdorim detyre.

Urdhri i ndalimit është nxjerrë nga Prokuroria e Tiranës pas hetimeve që nisën mbrëmjen e së mërkurës.

Të ndaluarit janë Muhir Mezini, Armando Fezga kreu i Sindikatës dhe Flora Ndreca përgjegjëse e turnit.

Ndërkohë, gjatë natës Policia e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë Tiranës që udhëheq hetimet, u shoqëruan 26 kontrollorë të AlbControl.

Mbrojtja Civile: Do të zëvendësohen kontrollorët e larguar

Komiteti i Mbrojtjes Civile ka vendosur që kontrollorët e trafikut ajror të cilët janë larguar nga detyra, të zëvendësohen me kontrollorë të rinj apo të huaj.

Në mbledhjen e zhvilluar online për situatën e krijuar në aeroportin e Rinasit ku janë të bllokuar të gjitha fluturimet që prej ditës së djeshme, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi që njëkohësisht është edhe kryetar i Komitetit të Mbrojtjes Civile, vuri në dukje se bazë të ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit konsiderohet infrastrukturë kritike, madje konsiderohet infrastrukturë kritike me efekt ndërkufitar.

Me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Komiteti i Mbrojtjes Civile vendosi që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë masat e nevojshme për të bërë operacional kontrollin e trafikut ajror, qoftë edhe duke zëvendësuar nëse lind nevoja kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj vendas ose të huaj.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ngarkua të përcaktojë kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të filluar fluturimet sa më parë.

Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje të licencojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Për shkak të protestës së kontrollorëve të Albcontrol, e gjithë hapësira ajrore e Shqipërisë është bllokuar dhe për pasojë janë anuluar shumë fluturime të ditës së djeshme dhe sot.