Bota Organizoi atentat ndaj vetes, zbulohet historia tronditëse e avokatit

Organizoi atentat ndaj vetes, zbulohet historia tronditëse e avokatit

Detaje tronditëse janë zbardhur për atentatin ndaj Alex Murdaugh, një avokati të njohur në Karolinën e Jugut, i cili u qëllua me armë zjarri në kokë më 4 shtator, por arriti të mbijetonte.

53-vjeçari, gruaja dhe djali i të cilit u vranë tre muaj më parë, ka çuditur autoritetet teksa ka pranuar se ka qenë ai që ka organizuar atentatin ndaj vetes, në mënyrë që paratë e sigurimit të jetës, rreth 10 milionë dollarë, t’i përfitonte djali i tij i mbijetuar.

Bashkë me Murdaugh, nën akuzë nga policia është vënë edhe ekzekutori i atentatit, 61-vjeçari, Curti Edward Smith, i cili akuzohet për ndihmë në vetëvrasje dhe komplot për të kryer mashtrim në sigurime.

Avokati i Murdaugh pranoi skemën, duke deklaruar se klienti i tij ishte në depresion për shkak të vdekjes së gruas dhe djalit, një krim akoma i pazbardhur, gjë që e ka shtyrë të organizojë atentatin ndaj vetes.

Gjithashtu ai ka shtuar se Alex Murdaugh vuante prej kohësh nga varësia ndaj opioideve, ndërsa ka hedhur poshtë dyshimet e policisë se ai ka gisht në vrasjen e gruas dhe djalit të tij.

Në një deklaratë për CNN, avokatët e çështjes, Harpootlian dhe Griffin kanë këmbëngulur se Murdaugh po bashkëpunon me autoritetet dhe mohojnë që ai të ketë pasur ndonjë rol në vrasjen e dyfishtë.