Bota Orna Barbivai shkruan historinë, e para gjenerale në Parlamentin izraelit

Orna Barbivai shkruan historinë, e para gjenerale në Parlamentin izraelit

56-vjeçarja mban gradën Gjeneral Majorit (Aluf), grada e dytë me lartë në ushtrinë izraelite (IDF)

Orna Barbivai e ka shkruar dy herë emrin e saj në historinë e Izraelit modern: 56-vjeçarja ishte e para femër që mori gradën e Gjeneral Majorit (Aluf), grada e dytë me lartë në ushtrinë izraelite (IDF) dhe e para femër gjenerale që zgjidhet deputete në Parlamentin e 21-të izraelit, për partinë Yesh Atid, në listën e dy partive të bashkuara nën emrin “Blu dhe Bardhë” (Kahol dhe Lavan – Blu and Ëhite) të kryesuar nga Benny Gantz dhe Yair Lapid.

Orna Barbivai është vajza një familje prej tetë fëmijësh, të dy prindërve emigrantë nga Iraku (nëna) dhe Romania (babai). Ajo ka hequr dorë nga karriera ushtarake, për t’iu përkushtuar tani asaj politike.

Në fakt, janë 13 femra që zgjidhen për herë të parë deputete, nga 29 të tilla, ku edhe gazetarja televizive Gadeer Mreeh, është gjithashtu femra e parë arabo-druzhe që zgjidhet në Knesset (nga lista “Blu dhe Bardhë”).

Gadeer Mreeh

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare – të së martës së kaluar, 9 prill – rezultuan me 49 deputetë që u zgjodhën për herë të parë, 29 prej tyre femra, dhe nga ana tjetër 9 gjeneralë që kanë shërbyer në ushtrinë izraelite fituan mandati e parlamentarit, apo “Haver hakneset”, siç quhet deputeti në Izrael.

Parlamenti izraelit (Knesset) ka 120 deputetë, ku 36 prej tyre (12 të rinj) janë të partisë Likud të kryeministrit aktual, Benjamin Netanyahu.

Nga lista “Blu dhe Bardhë”, nga 35 deputetë, vetëm 11 ishin edhe në parlamentin e kaluar.