Histori Otomanët kozmopolitanë

Otomanët kozmopolitanë

Nga Ussama Makdisi – Universiteti i Houston

Lindja arabe ishte mes rajoneve të fundit në botë që u kolonizua nga fuqitë perëndimore. Ishte po ashtu e para që u kolonizua në emër të vetëvendosjes. Një fotografi ikonike e shtatorit 1920 e gjeneralit francez, Henri Gouraud, i veshur në një uniformë të bardhë dhe madhështore, rrethuar nga dy figura fetare “vendase” e ilustron këtë moment. I ulur në njërën anë është Patriarku i Kishës Maronite, një sekt katolitik Kristian lindor. Nga ana tjetër ndodhet myftiu sunit i Bejrutit. Rasti që mblodhi këta njerëz bashkë ishte shpallja prej Gouraud e shtetit të Libanit të Madh, apo Grand Liban, i dalë nga tokat e Perandorisë Osmane që ishte humbëse. Franca kishte pushtuar Sirinë dy muaj më parë me bekimin e britanikëve dhe kishte përmbysur jetëshkurtrën Mbretëri kushtetuese Arabe të Sirisë.

Preteksti i përdorur për këtë kolonializëm të vonë vazhdon edhe sot. Objektivi i pretenduar i Francës në Orient nuk ishte ekspansioni, por udhëheqja e banorëve të tij, sidomos popullsitë minoritare dhe të ndryshme të Libanit, drejt lirisë dhe pavarësisë.

Franca e ndau shtetin e dominuar nga kristianët të Libanit nga pjesë tjetër e Sirisë gjeografike, e cila po ashtu u parcelizua sipas vijave sektare alavi, druzhe dhe sunitëve, nën dominionizmin francez. Ky kolonializëm i vonë pretendonte se do të çlironte popujt e botës arabe nga tirania e “Turkut” mysliman ottoman dhe nga shkatërrimi i urrejtjes së vjetër sektare. Kështu pra, gjenerali Gouraud u shfaq në fotografi jo si një ngadhënjimtar mbi fiset vendase të supozuara barbare; ai nuk ishte as një Hernan Cortes modern që përmbyste Montezumën e actekëve, as edhe rimishërimi francez i Andrew Jaskson që shkatërronte seminolët e Floridas. Gjenerali kolonizator francez, që kishte shërbyer në Niger, Çad dhe Marok, portretizohej si një paqësues i domosdoshëm dhe një arbitër mirëdashës mes atyre që europianët shpallnin se ishin komunitete antagoniste në Orient.

Kolonizimi i Lindjes Arabe erdhi pas atij të Amerikave, Azisë jugore dhe juglindore dhe Afrikës. Kjo valë e fundit e madhe e pushtimeve koloniale e refuzoi në dukje sundimin e egër dhe brutal të llojit të mbretit Leopold të Belgjikës mbi Kongon e fundit të shekullit të 19-të. Në vend të kësaj, pas Luftës së Parë Botërore, europianët sunduan përmes eufemizmit: një i ashtuquajtur sistem i “mandatit” i dominuar nga fuqitë e “përparuara” u krijua nga Liga e Kombeve që ishte nën kontrollin franko-britanik me synim ndihmën ndaj kombeve më pak të afta. Të bekuara nga Liga, shtetet e reja të Libanit dhe Sirisë ishin “përkohësisht” të pavarura, por ende nën tutlën e mandate europian.

Duke ndjekur përvojën e sundimit “indirekt” të britanikëve në Afrikë, fuqitë fitimtare krijuan një fasadë vendase për të bërë të padukshme dorën e kolonizatorëve. Më e rëndësishmja ndoshta, ky kolonializëm i vonë shpallte se respektonte idealet e reja të presidentit amerikan Woodrow Wilson, babai i supozuar i të ashtuquajturës “vetëvendosje” të popujve në botë.

Pesha e kolonializmit perëndimor në emër të lirisë dhe të lirisë së fesë e ka deformuar natyrën e Lindjes së Mesme gjatë historisë moderne. E ka shndërruar gjeografinë politike të rajonit duke krijuar një sërë shtetesh dhe emiratesh të vogla dhe të pavarura të Lindjes së Mesme, aty ku dikur qëndronte një sulltanat i madh otoman i ndërlidhur ndërkombëtarisht. Ai pagëzoi një konflikt të ri dhe ende të pazgjidhur mes “arabëve” dhe “hebrenjve” në Palestinë, pikërisht atëherë kur një identitet i ri arab që përfshinte myslimanë, kristianë dhe hebrej arabë, dukej më premtues. Ky kolonializëm i fundit perëndimor ka lënë në hije faktin se zhvendosja nga sundimi perandorak otoman drejt sundimit nacional post-otoman arab, nuk ishte as natyrale as edhe e pashmangshme. Kolonializmi europian ndërpreu në mënyrë radikale dhe riformësoi një shtet kulturor dhe politik antisektar të arabëve që kishte nisur të merrte formë gjatë shekullit të fundit të sundimit Osman. Pavarësisht kolonialzimit europian, ideali ekumenik dhe ëndrra për të krijimin e shoqërive sovrane më të mëdha sesa shuma e pjesëve të tyre komunitare apo sektare, mbijetoi gjatë shekullit të 20-të në botën arabe.

“I sëmuri I Europës” – nofka ironike europiane për sulltanatin – në fakt nuk ishte në rënie të pakthyeshme në fillim të shekullit të 20-të. E vërteta është e kundërt me ato që tregohen në historitë e stërthëna për grykësinë dhe degradimin turk, apo për glorifikimin dhe romanicizmin e sundimit otoman. E vërteta është se në shekullin e fundit otoman u dëshmua një epokë e re bashkëjetese në të njëjtën kohë kur u inauguruan edhe nacionalizmat konkurrues etnofetarë, lufta dhe shtypja nën hijen e dominionizmit perëndimor. Pjesa e dhunshme e historisë njihet mirë; por ajo ekumenike, shumë më e pasur, thuajse fare.

Njësoj si thuajse të gjitha politikat jo perëndimore në shekullin e 19-të, Perandoria Otomane u tërhoq përballë agresionit europian. Perandoria luftoi me dilemën sesi të ruante sovranitetin dhe të përshtatej me idetë e shekullit të 19-të për qytetari të barabartë. U godit nga ngritja e lëvizjeve nacionaliste separatiste ballkanike që kishin mbështetjen e fuqive të ndryshme europiane. Otomanët ishin virtualisht në luftë në çdo dekadë të shekullit të 19-të.

Nëse otomanët ishin të shqetësuar për atë sesi të ruanin integritetin territorial të perandorisë së tyre dikur të madhe, ata gjithashtu investuan në reformimin dhe rimodelimin në thuajse çdo drejtim, që nga ushtria dhe politika, tek arkitektura dhe shoqëria. Perandoria kishte diskriminuar për një kohë të gjatë mes myslimanëve dhe jomyslimanëve në emër të mbrojtjes së besimit dhe nderit të Islamit.  Ajo po ashtu diskriminonte heterodoksët myslimanë. Përgjatë shekujve, ishte ndërtuar një sistem perandorak që konsakronte primatin otoman mysliman mbi të gjitha grupet. Në shekullin e 19-të, sulltanët otomanë e rimodeluan perandorinë e tyre si një sulltanat të “qytetëruar” dhe ekumenik mysliman që aplikonte barazi ndaj të gjithë subjekteve, pavarësisht afilimit të tyre fetar. Myslimanët, kristianët dhe hebrenjtë, të gjithë adoptuan festen e kuqe si shenjë të otomanizmit të përbashkët modern. Gjatë erës së Tanzimatit(1836-1876), Perandoria Otomane përqafoi zyrtarisht një politikë të mosdiskriminimit mes myslimanëve dhe jomyslimanëve. Idea e barazisë mes myslimanëve dhe jomyslimanëve në perandori, fitoi autoritetin e sanksionimit social dhe ligjit me shpalljen e Kushtetutës Otomane në vitin 1876  që deklaronte barazi për të gjithë qytetarët otomanë.

Pavarësisht sesa e shekullarizuan otomanët perandorinë e tyre, Britania, Franca, Austria dhe Rusia kërkonin me shumë lëshime. Çdo fuqi europiane shpallte se mbronte njërin apo tjetrin minoritet kristian, apo minoritet çfarëdo, secili me lakmi mbi një pjesë të dominimeve otomane dhe që xhelozisht ia mohonte rivalëve ndikimin në Orient. Kjo grindje diplomatike u referua në atë kohë si “Çështja Lindore”. Anulimi privilegjeve ideologjike dhe ligjore të myslimanëve ndaj jomyslimanëve nuk kaloi pa kundërshti, sidomos për shkak se fuqitë europiane ndërhynin vazhdimisht në perandori sipas ndarjeve sektare. P.sh otomanët abroguan taksën mesjetare të xhizës ndaj jomyslimanëve, por u zotuan ndaj Europës në vitin 1856 që të respektonin “privilegjet dhe imunitetet shpirtërore” të kishave kristiane; ndërsa ata përjashtonin nga shërbimi ushtarak jomyslimanët në këmbim të një takse, ata mobilizuan subjekte myslimane që të luftonin në luftëra në dukje të pafundme; ata i hapën tregjet otomane ndaj influksit të mallrave europiane dhe toleruan misionet perëndimore të proselitizmit të jomyslimanëve të perandorisë.

Në vitin 1860 në Damask shpërtheu një revoltë anti-kristiane. Pavarësisht edikteve që shpallnin mosdiskriminimin, një turmë myslimanësh vërshoi në qytet duke plaçkitur kisha dhe duke terrorizuar banorët kristianë të qytetit. Gazetat në Londër dhe Paris, shoqëritë misionare, dënonin atë që e quanin fanatizmi muhamedan. Perandori Napoleon III dërgoi ushtrinë franceze në Orient me pretendimin për të ndihmuar sulltanin në rivendosjen e rendit në provincat e tij arabe. Fuqitë europiane ngritën një komision hetimor për të investiguar në masakrat e vitit 1860. Motivet e tyre humanitare, gjithësesi, ishin të kushtëzuara dhe politike. Megjithatë asnjë komision i ngjashëm nuk u ngrit për të hetuar SHBA-të në shtypjen dhe persekutimin e njerëzve me origjinë afrikane apo për asgjësimin e amerikanëve vendas, dekadat e terrorit kolonial francez në Algjeri, apo shtypjen britanike të revoltës antikoloniale në Indi në vitin 1857. Edhe pse u trajtuan nga vëzhguesit perëndimorë si një problem i çuditshëm joperëndimor dhe mysliman, masakrat e vitit 1860 reflektonin një betejë globale për të pajtuar barazinë, diversitetin dhe sovranitetin që manifestohej në botë në kontekste shumë të ndryshme. Pra, ndërsa otomanët përballeshin me një krizë reale për mënyrën sesi duhet të reformoheshin dhe të mbanin kontrollin mbi një popullsi heterogjene, multientike, shumëgjuhëshe, në anën tjetër të botës, SHBA po luftonte ndërkohë luftën më vdekjeprurëse të shekullit të 19-të në botën perëndimore kundër skllavërisë, racizmit dhe qytetarisë. Revolta e Damaskut ndodhi menjëherë pas ngarkesës së fundit me skllevër afrikane që u shkarkua nga anija “Clotilda” në brigjet e Alabamës.

Revoltat antikristiane të vitit 1860 në Damask ishin të tmerrshme, por ato reflektonin vetëm një aspekt të Perandorisë Otomane të kohës. Shumë më pak të vëna re sesa episodet e dhunshme dhe të sensacionalizuara në Europë, ishin përhapja e gjerë, në mos një përqafim aktiv, nga shumë subjekte otomane të shekullarizmit dhe modernizmit. Perandoria konstituonte një laborator jetik për bashkëjetesën mes myslimanëve dhe jomyslimanëve dhe nuk kishte paralel kund në botë për këtë aspekt. Askund nuk ishte më evidente kjo bashkëjetesë sesa në Mashriqun(Lindje-verilindjen) Arab. Nga Kajrua në Bejrut dhe Baghdad, arabët e të gjitha besimeve kishin një gjuhë të përbashkët dhe tregonin një prirje të vogël për t’u ndarë politikisht nga Perandoria Otomane. Pas ngjarjeve të vitit 1860, i konvertuari në Kishën Protestane, Butrus al-Bustani hapi një shkollë “kombëtare” në Bejrut. Në një kohë kur misionarët amerikanë në Levant ende e refuzonin idenë e një arsimi origjinal shekullar, shkolla e al-Bustanit ishte si antisektare, ashtu edhe e respektueshme ndaj ndryshimeve fetare.

Gjatë një kohe kur afrikanët dhe aziatikët po duronin nënshtrimin e madh racial në perandoritë europiane, kur hebrejtë ishin viktimë e pogromeve në Rusi dhe kur amerikanët e bardhë përqafonin segregacionin racial në jugun e SHBA, duke përjashtuar aziatikët nga shtetësia amerikane dhe duke i mbledhur vendasit e mbijetuar në rezervate të vajtueshme, Perandoria Otomane inkurajonte – ose nuk u doli kundër – hapjen e shkollave të reja “kombëtare” përfshirëse, bashkive, revistave, gazetave dhe teatrove. Në emër të sovranitetit dhe unitetit kombëtar u ndërtua një ushtri e re. Të gjithë këto reforma u bënë edhe më urgjente pas humbjeve të njëpasnjëshme të ushtrisë otomane kundër Rusisë në Ballkan dhe rezistencës së sulltanit Abdylhamidi II ndaj ndryshimit kushtetues. Në vitin 1908, Revolucioni i Turqve të Rinj rrëzoi sulltanin dhe premtoi një periudhë të re kushtetuese për lirinë dhe vëllazërinë otomane mes elementëve të ndryshëm të perandorisë, turq, armen, shqiptarë, hebrenj dhe arabë – jo thjesht mungesën e diskriminimit.

Shumica e reformave kombëtare shekullarizues u premtuan me entuziazëm më shumë sesa u zbatuan. Ato u zbatuan në mënyrë të pabarabartë dhe të fragmentarizuar në perandori. E megjithtë, pas ngjarjeve të vitit 1860, shumë arabë myslimanë, kristianë dhe hebrenj në Mashriq besonin se ata ishin pjesë e një “rilindjeje” ekumenike apo nahda, që mund të shprehej në terma kulturorë dhe politikë otomanë, arabë, fetarë dhe shekullarë të ndryshëm. Ata e kuptonin bashkarisht se po ecnin drejt një të ardhmeje potencialisht më të ndritshme dhe sigurisht për shkencore dhe të “qytetëruar”. Për të thënë të vërtetën, nga Egjipti në Irak, kjo nahda dominohej nga njerëz të qytetit, të arsimuar që besonin se flisnin për “kombet” e veta. Ishte një rilindje në process, jo një qëllim i realizuar apo edhe një projekt politik dhe social unitar. Mësuesit e Nahda-s nuk binin detyrimisht dakord për konturet e sakta të kombit të përbashkët otoman më shumë sesa amerikanët – atëherë apo tani – bien dakord mbi atë se çfarë e konstituon idealin apo përfaqësuesin e amerikanëve.

Balanca mes ekumenizmit të reformave otomane dhe imperativit të ashpër për të ruajtur sovranitet efektiv, ishte delikate. “Çështja Lindore” politizoi të ardhmen e komuniteteve jomyslimane – të quajtura eventualisht “minoritete” – sepse ata u bënë në të njëjtën kohë objekte të përkujdesjes dhe preteksteve të europianëve për agresione ushtarake dhe politike kundër otomanëve. Shfaqja e nacionalizmit etnofetar në Ballkan e përkeqësoi problemin kur nacionalistët kristianë grekë, serbë, maqedonas dhe bullgarë kërkuan ndihmën ruse, austriake apo britanike në ambicien e tyre për t’I ikur kontrollit otoman. Si pasojë, liderët otomanë e konsideruan popullsinë myslimane turqishtfolëse si bërthamën e perandorisë së tyre. Në çerekun e fundit të shekullit të 19-të, revolucionarët armenë u përpoqën të imitojnë nacionalistët kristianë ballkanas. Ata kërkuan ndihmën europiane për të arritur autonominë; shteti otoman u kundërpërgjigj me persekutim.

Moderniteti otoman në hijen e kolonializimit perëndimor tregoi se mund të ishte sa ekuemnik aq edhe i dhunshëm në mënyrë të pakompromis. Premtonte sa një të ardhme sovrane multietnike dhe multifetare, ashtu edhe një botë ksenofobe pa pakica. Në Ballkan dhe Anadoll, imperativi I sovranitetit qartësisht e tejkaloi angazhimin për ekumenizëm, ndërsa në Mashrikun arab ekumenizmi otoman lulëzoi më lehtë. Në Ballkan, kristianët shpesh u kundërvunë në mënyrë të paepur ndaj myslimanëve(apo kristianëve të tjerë) si shprehje e përplasjes së nacionalizmave etnofetare, ndërsa në Mashriq, arabët kristianë, myslimanë dhe hebrejtë bënë kauzë të përbashkët më lehtë.

Një ndryshim kyç ishte mungesa e nacionalizimit separatist në Mashriq. Ndonëse Britani pushtoi Egjiptin në vitin 1882, në pjesë tjetër të Mashriqut, sundimi otoman mbeti efektiv. Gjuha e përbashkët arabe ndihmoi arabët kristianë dhe hebrenjtë të luanin role të rëndësishme në shtypin arab, teatër apo edhe në bashkimet profesionale dhe ato të grave. E përditshmja kryesore egjiptiane, Al-Ahram, p.sh, u themelua nga një emigrant sirian Kristian. Nuk ishte pa kuptim edhe që gazetarja hebreje, Esther Moyal do të mbronte identitet ekumenik “lindor arab”. Tjetërsimi gradual dhe reduktimi radikal I komunitetit kristian armen në Anadoll ndodhi ndërkohë kur arabët kristianë dhe hebrenjtë bashkëjetonin me vëllezërit myslimanë në qytete si Bejruti, Haifa, Halepi, Bagdadi, si dhe në Kajron dhe Aleksandrinë e pushtuar nga britanikët.

Perandoria Otomane mbaroi me katastrofën e Luftës së Parë Botërore. Sunduesit turq të Perandorisë, i kthyen shpinën pa asnjë droje shpirtit ekumenik të otomanizmit, në të njëjtën kohë që përqafuan anën më të errët shtetërore të tij. Në emër të mbijetesës kombëtare, këta otomanë zbatuan politika genocidale kundër armenëve. Ata po ashtu i varën atë që i konsideronin si arabë tradhëtar në Bejrut dhe Damask. Ndërkohë që një zi buke pllakosi Malin Libanez, forcat otomane u tërhoqën përpara pushtimit ushtarak britanik të Palestinës. Jeruzalemi ra në dhjetor 1917. Thuajse një vit më pas, perandoria u dorëzua në mënyrë poshtëruese.

Kur shtetarët e forcave fitimtare aleate të Britanisë, Francës dhe SHBA-së u mblodhën në Paris në vitin 1919 për të vendosur për të ardhmen e Perandorisë së mundur Otomane, ata ndërhynë në një Perandori që kishte qenë transformuar substancialisht gjatë shekullit të mëparshëm. Fitimtarët e LIB, injoruan trashëgiminë ekumenike të periudhës së fundit të PO-së. Në vend të saj, ata sensacionalizuan defektet e dukshme të perandorisë dhe u treguan të vendosur për ta ndarë atë. Në vitin 1919, presidenti Wilson bekoi ndarjen e Perandorisë Otomane. Invazioni grek në Izmir I hapi rrugë një lufte të përgjakshme që eventualisht çoi në fitoren e një Turqie të re nën lidershpin e Mustafa Kemalit, i njohur më vonë si Ataturk. Kjo Turqi e re e shekullarizoi veten në mënyrë dramatike por ishte po ashtu drakoniane në refuzimin e trashëgimisë së vet ekumenike otomane. Në vitin 1923, Turqia përfundoi një marrëveshje me Greqinë për dëbimin me forcë – “shkëmbim” ishte eufemizmi që u përdor – të më shumë se një milionë grekëve. Në këmbim, Greqia dëboi qindra mijëra myslimanë greqishtfolës. Republika e re turke i shtypi në këtë kohë kurdët kundërshtues.

Aleatët vendosën edhe të ardhmen e Arabëve të Lindjes. Në fillim të vitit 1915, britanikët u zotuan të mbështesin ambiciet ekspansive të arabëve hashemitë për të sunduar në një mbretëri arabe të pavarur përgjatë pjesës më të madhe të Lindjes Arabe si këmbim për revoltën e tyre kundër sundimit otoman. Një vit më vonë, më 1916, Franca dhe Britania ranë dakord fshehurazi që të ndanin provincat arabe të Perandorisë Otomane përmes marrëveshjes Sykes-Picot. Në vitin 1917, qeveria britanike, të nxitura nga lobimi sionist, u zotua të mbështestye krijimin e një “shtëpie kombëtare” hebreje në Palestinë që ishte arabe në planin demografik, shoqëror dhe gjuhësor.

Për t’i shtuar fyerjet plagës së hapur, në Konferencën e Paqes së Parisit në vitin 1919, Britania dhe Franca bllokuan që arabët dhe egjiptianët të prezantonin çështjet e tyre për pavarësi direkte. Ata lejuan megjithatë emirin hashemit, Faisal, djali i Sharif Hussein, të bashkohej me aleatët për të përmbushur zotimet e tyre të kohës së luftës ndaj babait të tij. Ata po ashtu lejuan sionistët europianë që të paraqisnin vizionin e tyre për kolonizimin e Palestinës dhe shndërrimin e saj në një shtet hebre të drejtuar nga kolonë nga Europa Lindore dhe  Qendrore. Dhe ata lejuan seancë dëgjimore për Howard Bliss, djali i një misionari amerikan dhe president i Kolegjit Protestan Sirian(sot, universiteti amerikan i Bejrutit). Bliss u lejua të fliste në emër të banorëve të Sirisë. Paternalist ndaj sirianëve, ai u tregua i ndjeshëm ndaj humorit politik në ish-provincat otomane dhe rekomandoi dërgimin e një misioni të paanshëm faktmbledhës në Lindjen e Mesme që do të duhet të dokumentonte aspiratat politike të banorëve përmes vetëvendosjes së tyre. Francezët ishin të tmerruar nga ideja e një komisioni të paanshëm, britanikët ishin në siklet, sepse as kishin qëllim të ofronin pavarësi për arabët. Vetë Wilson, gjithësesi, ishte interlokutori kyç mes formave të vjetra dhe të reja të kolonializmit. Ai ishte përkrahës shumë i madh i misionarizmit amerikan. Ai e bëri të vetën idenë e një komisioni.

Si pasojë u krijua Seksoni Amerikan, pjesë e Komisionit Ndëraleat mbi Mandatet në Turqi, që u njoh thjesht si Komisioni King-Crane, sipas emrit të dy amerikanëve që e drejtuan: Henry King, president i Kolegjit Oberlin në Ohajo dhe filantropit Charles Crane. Në dallim nga komisioni ndërkombëtar i vitit 1860 që u krujua në Perandorinë Otomane, ky komision zhvilloi anketa me njerëzit në rajon – mblodhi telegrame të shumta, peticione dhe letra nga banorët e ish-provincave otomane dhe zhvilloi me qindra takime me ta. As King dhe as Crane nuk ishin antikolonialistë në ndonjë sens revolucionar, por ata besonin me të vërtetë të dy se ishte e rëndësishme të regjistroheshin me saktësi dëshirat e vendasve në rajon. Ata dukej se e merrnin angazhimin e Wilsonit për vetëvendosjen sit ë vetëkuptueshëm.

Pas një turi rraskapitës përmes Palestinës, Libanit dhe Sirisë në korrik të vitit 1919, King dhe Crane dolën në disa përfundime të guximshme që kishin të bënin me Lindjen Arabe. Ata njohën faktin se shumica e banorëve të rajonit flisnin një gjuhë të përbashkët dhe ndanin një kulturë ekumenike të pasur. Ata pranonin se dëshira politike e shumicës së popullsisë vendase ishte në masë dërrmuese për pavarësinë. Ata rekomanduan fuqishëm krijimin e një shteti të vetëm sirian që përfshinte Palestinën dhe Libanin nën mandatin amerikan(dhe nëse ky dështonte, nën mandatin britanik) me mbrojtje të fortë për pakicat. Më e rëndësishmja, ata thanë se nëse parimi wilsonian i vetëvendosjes do të merrej seriozisht dhe zëri i arabëve vendas do të dëgjohej, projekti i sionizmit kolonial në Palestinë duhej të mbikëqyrej.

“Vendimet që kërkojnë ushtrinë për zbatim, janë ndonjëherë të domosdoshme, – shkruanin ata, – por ato nuk duhen marrë falas në interes të një padrejtësie serioze. Pretendimi fillestar, shpesh i paraqitur nga përfaqësuesit sionistë, se ata kanë një “të drejtë” mbi Palestinën, bazuar në një pushtim të 2000 vjetëve më parë, vështirë se mund të konsiderohet seriozisht”.

Komisionerët ia dorëzuan raportin final presidentit Wilson në gusht të vitit 2019, por rekomandimet e tyre u injoruan. Parashikimet e tyre për Palestinën, gjithsesi u provuan të ishin profetike. SHBA hodhi poshtë çdo interpretim antikolonial modifikues të vetëvendosjes, sepse edhe Wilsoni vetë nuk besoi asnjëherë në idenë se të gjithë njerëzit ishin të barabartë apo që meritonin sovranitet imediat. Britania dhe Franca proceduan me ndarjen e rajonit sikur komisioni King-Crane të mos ishte dërguar kurrë. Ministri i Jashtëm britanik, Arthur Balfour ishte të paktën i sinqertë në këtë pikë.

“Banorët e Sirisë, – shprehej ai, – mund të zgjedhin lirisht, por kjo në fund të fundit është e vetmja gjë që ofrohet Franca do të sundonte Sirinë dhe Libanin. Dhe Britania do ta hapte Palestinën për sionizmin kolonial. Për në Palestinë“, shkruante Balfour në gusht të vitit 1919, “ne as nuk propozojmë që të konsultojmë dëshirat e banorëve të tanishëm të vendit, ndonëse komisioni amerikan ka shqyrtuar një gjë të tillë duke i pyetur ata se çfarë janë”.

Pavarësisht sesa kolonializmi i fundit e shiti veten si përçues i idesë së vetëvendosjes, propozuesit e tij perëndimorë e dinë më mirë të vërtetën. Tragjedia e vërtetë nuk qëndron gjithsesi te mashtrimi, por në ndarjet që ky mashtrim ka përkeqësuar dhe gjeneruar. Europa koloniale shpalli pretendimin për të arbitruar ndryshimet e vjetra fetare në Lindjen e Mesme. Në realitet, ajo inkurajoi sektarizmin politik. Pasojat e këtij kolonializmi të fundit jehojnë ende sot.

Burimi: Aeon

Përkthimi: ResPublica