Shëndet “Pacienti im u infektua për herë të dytë Covid-19. Disa mësime që...

“Pacienti im u infektua për herë të dytë Covid-19. Disa mësime që nxora”

Mund të infektohesh për herë të dytë nga Covid-19 dhe madje ta kesh edhe më të vështirë përballjen me të. Dr. Clay Ackerly tregon në “Vox” përvojën e pacientit të tij 50-vjeçar, i infektuar për së dyti me koronavirus.

“Covid-19 mund të jetë edhe më keq edhe herën e dytë. Gjatë infeksionit të tij të parë, pacienti im pati një kollë të butë dhe dhimbje fyti. Por kur u infektua për së dyti, pati temperaturë të lartë, gulçim dhe hipoksi, gjë që e detyroi të shkonte disa herë në spital”.

Ky nuk është rasti i vetëm. Ka pasur shpesh raportime të pacientëve që janë infektuar për herë të dytë nga virusi.

Kërkime të pjesshme që janë kryer deri tani kanë treguar se pacientët e shëruar nga Covid-19 nuk zhvillojnë të gjithë antitrupa pas infeksionit.

Në përgjithësi, ato që nuk dimë mbi përgjigjen imunitare të SARS-CoV-2 janë më shumë se ato që dimë. Ne nuk e dimë se sa mund të jetë imuniteti pasi dikush të infektohet me virus, nuk e dimë se sa mund të zgjasë ky imunitet dhe nuk e dimë sa antitrupa janë të nevojshëm për një përgjigje efektive imunitare. Dhe, megjithëse ka disa shpresa për imunitetin qelizor (përfshirë përgjigjet e qelizave T) në mungesë të një përgjigje të qëndrueshme të antitrupave, provat e hershme të infeksioneve për së dyti e vënë efektivitetin e këtyre përgjigjeve imune në pikëpyetje.

Kjo mund të zbehë shpresat për imunitetin e tufës. Imuniteti i tufës varet nga teoria se sistemet tona imune, dikur të ekspozuara ndaj një patogjeni, do të na mbrojnë kolektivisht si komunitet nga ri-infektimi dhe përhapja e mëtejshme.

Në përgjithësi, ekspertët e konsiderojnë imunitetin natyror të tufës si një plan rezervë të skenarit të rasteve më të këqija. Kërkon infeksion masiv (dhe, në rastin e Covid-19, humbje masive të jetës për shkak të shkallës së fatalitetit të sëmundjes) para se të arrihet mbrojtja natyrale. Imuniteti i tufës u promovua nga ekspertë në Suedi dhe (herët në pandemi) në Britaninë e Madhe, me rezultate shkatërruese.

Sidoqoftë, ajo ka zënë vend në publik si opsion. Është krijuar bindja se ata që e kanë kaluar njëherë sëmundjen nuk do të infektohen përsëri, as nuk do të përbëjnë një kërcënim për kalimin e virusit te të tjerët.

Dr. Ackerly konkludon se përvoja e pacientit në fjalë shërben si një shenjë paralajmëruese në disa fronte.

Së pari, trajektorja e një infeksioni fillestar të moderuar të ndjekur nga një riinfeksion i rëndë sugjeron që ky virus i ri mund të ketë disa tendenca të viruseve të tjerë si ethet dengue, që do të thotë mund të vuash më shumë herën e dytë sesa kur infektohesh për herë të parë.

Së dyti, megjithë shpresat shkencore për imunitetin e ndërmjetësuar nga antitrupat ose qelizat, ashpërsia me të cilën sëmundja godet për së dyti sugjeron që përgjigje të tilla mund të mos jenë aq të forta sa shpresojmë.

Së treti, shumë njerëz mund ta ulin kujdesin dhe pasi të infektohen së pari, sepse besojnë se janë ose imunë ose të paaftë për të kontribuar në përhapjen e komunitetit. Siç tregon rasti i pacientit 50-vjeçar, këto supozime rrezikojnë si shëndetin e tyre, ashtu edhe shëndetin e atyre që janë pranë tyre.

E fundit, nëse infektimi për herë të dytë është i mundur në një afat kohor kaq të shkurtër, ekzistojnë implikime për efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e vaksinave të zhvilluara për të luftuar sëmundjen.