Politika Pacolli thirrje Metës dhe Ramës: Mblidhni në një tryezë faktorin shqiptar

Pacolli thirrje Metës dhe Ramës: Mblidhni në një tryezë faktorin shqiptar

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i drejtoi të mërkurën një thirrje të hapur Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama që përballë zhvillimeve të fundit në raportet Kosovë-Serbi, të faktorizojnë politikën e shqiptarëve në rajon duke mbajtur një tryezë të përbashkët me udhëheqësit shqiptarë.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli thotë se një tryezë e përbashkët me udhëheqës politikë shqiptarë të gjithë rajonit mund të ndikojë pozitivisht në zhvillimet e dialogut Kosovë-Serbi.

“Sot, pak ditë para se në Bruksel apo Washington të zhvillohen negociatat me Serbinë, po dua ta përsëris thirrje për krerët e shtetit shqiptar, Presidentin Meta dhe Kryeministrin Rama:

Thirrni shpejt në një tryezë të gjithë lidershipin shqiptar në Ballkan, duke filluar nga liderët e Kosovës, Presidentin Hashim Thaçin, Keyeministrin Avdullah Hotin, Kryetarin Mustafën, Albin Kurtin, ish Kryeministrin Haradinajn, Kryetarin Veseli etj. e duke vijuar me Ali Ahmetin, dhe udhëheqës të tjerë të Luginës,” – apeloi Pacolli.

Kreu i AKR-së thotë se në themel të propozimit të tij qëndron premisa për unitet dhe harmoni mes udhëheqësve shqiptarë. Ai shpjegon se “asnjë udhëheqës nuk mund ta thërrasë këtë tryezë përveç Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama”, të cilët sipas tij “nuk duhet të kenë rol paternalist, por vetëm lehtësues dhe moderues të saj”.

“Sot gjendemi të përçarë dhe me inate mes veti në Kosovë, pa kurrfarë përgatitje profesionale politike, me qeveri të sulmuar, me konflikt ndërinstitucional, pa diskutime të brendshme për dialogun, pa propozime ekonomike dhe politike zyrtare, me platforma dialogu që ndërrohen, deri para pak javësh, besa dhe me marrëdhënie të ftohta me Shqipërinë. Dhe pasi kritikuam europianët që zhagitën dialogun e Brukselit, tani po kritikojmë Presidentin Trump, që do ta zgjidhë shpejt çështjen e Kosovës,” – thotë Pacolli, teksa kujton se në anën tjetër presidenti serb, Vuçiç, po planifikon të vizitojë Rusinë përpara takimit në Uashington.

Pacolli hedh idenë që tryeza e mundshme t’i ofrojë SHBA-ve dhe Francës unitet dhe qëndrim të përbashkët rreth dialogut.

“Tryeza mund të ofrojë ndarje rolesh, unitet politik të brendshëm, rol konstruktiv në rajon, heshtje narrativash përçarëse, propozime për zhvillim të përbashkët ekonomik si hapësirë unike mes shqiptarëve ku të shfrytëzohen dhe portet e Shqipërisë, dhe industria minerare,” – argumenton më tej Pacolli.

“Nëse nuk ndodh kjo tryezë, thjesht po dua t’ ju përkujtoj diçka: si kurrë ndonjëherë në këto 21 vjet nuk kemi qenë kaq të përçarë! Medet që sot kur kemi shtetin tonë, jemi dhe më të dobët para kësaj urgjence historike,” – mbyll thirrjen e tij Pacolli.