Ekonomi Pagesat pa para’ në dorë: Si do ti raportojnë bankat transaksionet e...

Pagesat pa para’ në dorë: Si do ti raportojnë bankat transaksionet e bizneseve

Ndërsa më 1 shtator pritet të nisë faza e parë e projektit të fiskalizimit, Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzimin se si do të bëhet regjistrimi i pagesave të faturave elektronike për transaksione që kryhen ndërmjet bizneseve apo midis bizneseve dhe institucioneve publike, pa para në dorë. Kështu, sipas udhëzimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, bankat, institucionet e tjera financiare jobankare dhe subjekte të tjera, të cilat ofrojnë shërbime të pagesave pa para në dorë, detyrohen të regjistrojnë dhe të informojnë administratën tatimore on line, në fund të çdo dite pune, për çdo pagesë të kryer gjatë çdo dite pune, në emër dhe për llogari të klientëve të tyre.

I gjithë informacioni do të dërgohet përmes pajisjeve softwerike të certifikuara, dhe për çdo transaksion, përmes faturës elektronike,  do të raportohen me detaje, të dhënat e subjektit, shuma e paguar, data e pagesës etj. Pas marrjes së të dhënave, administrata tatimore kryen të gjitha verifikimet e nevojshme. Sipas ligjit, nuk ka asnjë kufizim mbi sasinë e pagesave për secilën faturë elektronike (për shembull, nëse blerësi paguan vetëm një pjesë të shumës së faturës) dhe as mbi pagesat në grup të disa faturave të lëshuara nga i njëjti tatimpagues, por banka ose institucioni tjetër financiar jobankar duhet të njoftojë administratën tatimore për shumën e saktë të paguar për çdo faturë në çdo ditë.

Nëse blerësi dhe shitësi përdorin banka të ndryshme, detyrimi për të raportuar pagesën e faturës është për bankën dërguese dhe jo atë që e pranon atë. Në rast të transferimeve hyrëse ndërkombëtare, nuk ka asnjë detyrim për raportimin e pagesave, pasi detyrimi i njoftimit përcaktohet vetëm për bankën ose institucionin tjetër financiar jobankar që bën pagesën dhe jo për atë që e merr.

Elisabeta Dosku / SCAN