Sport Pak para dhe shumë refuzime, Milan duhet të shesë që të blejë

Pak para dhe shumë refuzime, Milan duhet të shesë që të blejë

Milani pritet të marrë fytyrë të re, nisur nga të gjithë ndryshimet që janë bërë këtë sezon. Klubi i ka idetë e qarta, por financat janë ato që i kanë ndalur dhe ka bërë që shumë tratativa të tyre të dështojnë.

Deri më tani kanë siguruar shërbimet e Theo Hernandez dhe Rade Krunic, i treti pritet të jetë Ismael Bennacer, që do mbërrijë pas finales së Kupës së Kombeve të Afrikës.

Megjithatë, deri tek marrëveshja me këto lojtarë shumë të tjerë i kanë refuzuar kuqezinjtë. Fillimisht si i preferuari i tyre ishte Stefano Sensi, por vlera e lartë e kërkuar nga Sassuolo, bëri që kuqezinjtë të vetëpërjashtohen dhe e ardhmja e mesfushorit ishte tek Inter.

Më pas ishte Ceballos, por Real Madridi refuzoi çdo lloj formule që Maldini iu paraqiti, duke e bërë të qartë se duan 50 mln euro të thata. Në skenë doli emri i Torreira, shumë zëra në media, por asgjë nuk u bë konkretisht për të, edhe duke parë çmimin e lartë të vendosur nga Arsenal.

Deri më tani, tre emra në tavolinë, të tre të dështuar për shkak të parave.

Ozan Kabak ishte surpriza e madhe. Mesfushori i Stuttgart refuzoi kalimin në Milano, duke u bërë pjesë e Schalke 04, me arsyetimin se nuk i ishte siguruar një vend titullari tek klubi milanez.

Dështimi i fundit duket se do të jetë Jordan Veretout, i cili u bë një telenovelë më vete për të ardhmen e tij. Milan ishte shumë pranë tij, por tani Roma duket se ka akord me lojtarin, duke i plotësuar kërkesat financiare dhe shumë shpejt pritet zyrtarizmi.

Milani po merr formë me Bennacer në mesfushë, por ndërkohë duhet të mendojnë për një qendërmbrojtës, megjithëse më parë duhet të sakrifikojnë një nga yjet e tyre, për të siguruar paratë e nevojshme.