Kryesore Paketa anti-KÇK, Meta: Lufta kundër krimit nuk bëhet me fushata

Paketa anti-KÇK, Meta: Lufta kundër krimit nuk bëhet me fushata

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” foli dhe për aktin normative të miratuar së fundmi nga qeveria për të luftuar krimin e organizuar, i njohur ndryshe si paketa anti-KÇK.

Sipas kreut të shtetit, lufta kundër krimit nuk bëhet me fushata dhe ai shtoi se nëse bëhen ndryshime në ligj, ato duhet të jenë të mirëmenduara dhe të mos kenë mbivendosje ligjore dhe institucionale.

“Lufta kundër krimit është një kërkesë e vjetër, e reja është imperativi për të dhënë rezultate. Legjislacioni ka qenë i plotë, duhet të jemi të kujdesshëm. Kjo luftë nuk zhvillohet me fushata, por çdo ditë dhe për këtë arsye duhet të respektohet Kushtetuta dhe shteti ligjor. I gjithë legjislacioni ka qenë aty, institucionet po aty. Por kur bëhen ndërhyrje në ligj ato duhet të jenë të mirëmenduara, transparente dhe të mos krijojnë kontestime dhe mbivendosje të karakterit ligjor dhe institucional”, deklaroi presidenti Meta.

Takimi me Palmer

Ilir Meta priti sot në një takim në Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetin, si dhe të dërguarin special të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në fokus të takimit ishte shtimi i përpjekjeve të përbashkëta për çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, zbatimi i reformës në drejtësi dhe konsolidimi i shtetit ligjor, si e vetmja rrugë për të avancuar drejt integrimit të vendit në BE.

Meta dhe Palmer theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor  dhe të perspektivës së përbashkët europiane. Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber.