Politika Pakti i ri me Frontex, BE: Nuk ka lidhje me rikthimin e...

Pakti i ri me Frontex, BE: Nuk ka lidhje me rikthimin e vizave

Zyra e Bashkimit Europoian në Tiranë ka përgënjeshtruar lajmet e publikuara në media se marrëveshja e Shqipërisë me Frontex është për pezullimin e vizave.

Në faqen zyrtare të “Twitter”-it shkruhet se “nuk ka lidhje mes hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe mekanizmit për pezullimin e vizave. Është në interes si të Shqipërisë ashtu dhe të BE-së që të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre për migracionin dhe sigurinë”.

Po ashtu thuhet se kjo marrëveshje ka për qëllim mbrojtjen e kufirit dhe luftën kundër emigrimit të paligjshëm.

“Hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare @Frontex BE në të ardhmen do të kontribuojë për rritjen e sigurisë dhe garantimin e një menaxhimi më të mirë të migrimit të parregullt në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin.

Negociata për marrëveshje të tilla kanë përfunduar me partnerë të tjerë të #BallkanitPerëndimor. Menaxhimi i kufijve të Shqipërisë mbetet kompetencë e autoriteteve të Shqipërisë.

Agjencia u ofron vetëm ndihmë&mbështetje autoriteteve kompetente kombëtare, në frymën e bashkëpunimit të ndërsjelltë”, thekson zyra e BE-së në kryeqytet.