Aktualitet Pakti për Universitetin, Rama: Karta e studentit do të ketë 40 shërbime

Pakti për Universitetin, Rama: Karta e studentit do të ketë 40 shërbime

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin e Sondazhit Kombëtar të Studentëve mbi cilësinë e mësimdhënies në kuadër të Paktit të Universitetit.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri ka thënë se shumë prej pikave të këtij pakti që u hartua pas protestave të studentëve, janë plotësuar ndërsa të tjera ende janë në zhvillim.

Rama u ndal tek karta e studentit, që u prezantua pak ditë më parë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini.

Sipas Kryeministrit Rama, karta e studentit do të shpërndahet fillimisht në Tiranë brenda muajit Maj dhe do të përmbajë 40 shërbime, të cilat do të shtohen me kalimin e kohës.

“Angazhimet e marra në dokumentin e Paktit për Universitetin janë ndjekur dhe po ndiqen me seriozitet dhe sot po t’i shikojmë të gjitha pikat jemi në kushtet kur një sërë aspektesh janë adresuar dhe disa aspekte të tjera po adresohen. Faktikisht kemi bërë realitet disa zotime kryesore dhe po bëjmë realitet disa zotime të tjera. Sot jemi në situatën kur ne po vendosim disa piketa. E kemi nisur këtë rrugë nga një situatë xhungle në Universitet me një numër skandaloz Universitetesh të licencuara pa asnjë kriter, thithnin para pa fund dhe faktikisht jepnin mbrapsht diploma pa asnjë vlerë. Kemi vendosur disa rregulla të reja.

Ligji për arsimin e lartë po funksionon dhe po na jep mundësinë t’i adresojmë këto aspekte të tjera, ashtu sikundër ndërveprimi me studentët po funksionon. E fundit ishte para pak ditësh, karta e studentit, që do të fillojë të shpërndahet në Tiranë brenda muajit Maj. Fillon me 40 shërbime, por është një instrument në zhvillim. Një element pozitiv i kartës që do të zhvillohet në të ardhmen e afërt, është përfshirja e sipërmarrjes private në angazhime konkrete për t’i shërbyer studentëve. Për çdo nevojë për informacion kemi një sistem komunikimi online të çdo studenti me qeverinë me një dritare të dedikuar në platformën “Shqipëria që Duam”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.