Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk është e vërtetë që palestinezët do të vijnë në Shqipëri, duke e cilësuar këtë një sajesë.
Në rubrikën “Sy m’Sy”, kreu i qeverisë duke iu përgjigjur drejtpërdrejt ndjekësve të tij në rrjetet sociale, tha se zërat për ardhjen e palestinezëve janë zëra të ardhura nga këneta.
“Votoni Ramën dhe do të prisni palestinezët?”, ishte pyetja që iu drejtua Kryeministrit.
“Pse? Për çfarë arsye? Apo sepse kështu ka ardhur një zë kuak-kuak-kuak nga këneta? Jo, Visar, nuk është e vërtetë, është një sajesë që mori rrugën me shpejtësi si sajesat, pasi jemi në atë kohën që kur e vërteta s’ka veshur pantallonat e gënjeshtra ka bërë xhiron e botës. E vërteta është e mërzitshme, ndërsa gënjeshtra është e lezetshme”, nënvizoi Rama.
Ky është reagimi i dytë i Ramës lidhur me këtë lajm.
10 ditë më herët ai përgënjeshtroi lajmin se administrata Trump po shikonte mundësinë që afro 100 mijë banorë të Gazës të strehohen në vendin tonë.
Burimi i lajmit ishte një gazetar izraelit, Amit Segal, i cili tha se pas refuzimeve të Egjiptit dhe Jordanisë, mund të jetë Shqipëria dhe Indonezia si vende pritëse të refugjatëve palestinezë.
Rama tha se lajmi ishte tërësisht i rremë dhe tha se Shqipërisë nuk i kërkuar një gjë e tillë nga askush. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të bëje më shumë se çdo vend tjetër europian për një çështje të tillë.
Ndërkohë, plani i presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e detyruar të përhershme të palestinezëve ka ngjallur shumë kritika dhe reagime në botë.
Trump sugjeroi që gati 2 milionë palestinezë duhet të zhvendosen nga Gaza në shtëpi të reja diku tjetër, në mënyrë që SHBA të dërgojë trupa në Rrip, të marrin pronësinë dhe të ndërtojnë “Rivierën e Lindjes së Mesme”.
Përpos Jordanisë dhe Egjiptit të cilëve ai u ka kërkuar më herët të marrin palestinezët, Trump tha se do të jenë edhe 4 shtete të tjera ku do të zhvendoset populli palestinez. Ai nuk bëri me dije se cilat janë këto 4 shtete por më herët ka thënë vetëm se do i dërgojë palestinezët “në vende ku mund të jetojnë të qetë”.