Bota Panda, “ambasadorja e miqësisë” e Kinës

Panda, “ambasadorja e miqësisë” e Kinës

Një panda gjigante që ngjitet në një pemë në Chengdu

Panda është një kafshë e veçantë dhe e rrallë e Kinës. Për shkak të pamjes së saj të këndshme, panda është një kafshë mjaft e pëlqyer nga njerëzit në vende të ndryshme të botës.

Imazhi i pandës përdoret si logo nga shumë organizata të mbrojtjes së kafshëve, ndër të cilat më e famshme është Fondi Botëror i Natyrës (WWF) me seli të përgjithshme në Gland të Zvicrës. Në vitin 1980, me ftesën e qeverisë kineze, Fondi Botëror i Natyrës filloi punën e studimit dhe të mbrojtjes së pandave në provincën Sichuan. Në vitin 1996 Fondi Botëror i Natyrës krijoi agjencinë e vet në Pekin dhe deri tani ka ndihmuar në mbi 100 projekte të mëdha të mbrojtjes së mjedisit ekologjik në Kinë.

Panda quhet “ambasadorja e miqësisë” e Kinës dhe dhurimi i pandave nga Kina vendeve të tjera njihet edhe si “diplomacia e pandës”. Që në dinastinë Tang, perandorja Wu Zetian (624-705) i dhuroi perandorit japonez dy panda për të forcuar marrëdhëniet miqësore dypalëshe. Nga viti 1936 deri në vitin 1945, qeveria kineze u dhuroi vendeve perëndimore 14 panda. Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, Kina u dhuroi me radhë nëntë vendeve 23 panda, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm për thellimin e miqësisë midis Kinës e vendeve të huaja.

Rasti më i njohur i “diplomacisë së pandës” ndodhi në vitin 1972, kur presidenti amerikan Riçard Nikson vizitoi Kinën. Kryeministri i atëhershëm kinez Çu En Lai vendosi t’i japë popullit amerikan dy panda si dhuratë shtetërore. Kur arritën në Kopshtin Zoologjik të Uashingtonit, pandat Lingling e Xingxing u pritën ngrohtësisht nga 8000 amerikanë dhe brenda një muaji ato u vizituan mbi 1 milion veta. Mund të thuhet se këto dy panda kanë luajtur një rol të rëndësishëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës Popullore të Kinës e ShBA-së.

Vitet e fundit, Kina e ka ndaluar dhurimin e pandave në vendet e tjera, megjithëkëtë, panda vazhdon të bëhet “ambasadorja e miqësisë” e Kinës në vendet e huaja me anë të dhënies me qira dhe bashkëpunimit në studimin e kësaj kafshe të veçantë.

Kopshti Zoologjik i Madridit është një nga tetë kopshtet zoologjike në Europë që kanë panda. Në qershor të vitit 1978, mbreti spanjoll Huan Karlos dhe mbretëresha Sofia bënë një vizitë shtetërore në Kinë. Gjatë vizitës, ata morën një dhuratë të çmuar, një çift pandash. Panda femër quhej Shaoshao dhe panda mashkull Qiangqiang. Pas kthimit në atdhe, mbreti ia dhuroi të dy pandat Kopshtit Zoologjik të Madridit.

Në vitin 1982, çifti i pandave solli në jetë Chulin-in, panda e parë e lindur në Europë nëpërmjet pllenimit artificial. Në vitin 2007, Kina e Spanja nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së pandave. Atë vit, në Kopshtin Zoologjik të Madridit u dërgua çifti i dytë i pandave, Huazuiba dhe Bingxing. Pas tre vjetësh, ata lindën binjakë meshkuj, Dede e Abao.

Megjithëse në Kopshtin Zoologjik të Madridit jetojnë më se 4000 kafshë nga rajone të ndryshme të botës, pandat mund të quhen pa diskutim yjet e këtij kopshti. Në logon e Kopshtit Zoologjik të Madridit ka një imazh të pandës dhe në këtë kopsht mund të shihen kudo shenja të pandës. Duke folur për entuziazmin e vizitorëve për të parë pandat, drejtori i Kopshtit Zoologjik të Madridit Enrique Perez Real përdori tre herë fjalën “shumë”:

“Çdo vit rreth 1 milion turistë vizitojnë Kopshtin Zoologjik të Madridit dhe çdo vizitor do që të shikojë pandat. Turistët janë jo vetëm nga Madridi, por edhe nga qytetet e tjera spanjolle dhe nga vende të tjera europiane, si Portugalia, Franca, Italia etj. Ne të gjithë i duam pandat dhe jam shumë shumë i gëzuar që pandat jetojnë në kopshtin tonë.”

Sivjet është 45-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Spanjës. Dy vendet kanë nënshkruar marrëveshjen e re të bashkëpunimit në fushën e studimit të pandave. Sipas marrëveshjes, pandat Huazuiba dhe Bingxing do të jetojnë në Madrid deri në vitin 2023.

Në prag të vizitës shtetërore të presidentit kinez Xi Jinping në Spanjë, drejtori Enrique Perez Real e ftoi ngrohtësisht presidentin Xi ta vizitojë Kopshtin Zoologjik të Madridit për të parë pandat nga atdheu i vet. “Do të ishte një gjë e mrekullueshme nëse presidenti Xi Jinping do të vinte në kopshtin tonë,” thotë Enrique Perez Real./ albanian.cri