Bota Pandemia, Biden përlotet në bisedë me infermierët

Pandemia, Biden përlotet në bisedë me infermierët

Kujton tragjedinë me të birin dhe falenderon bluzat e bardha

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Joe Biden është përlotur gjatë një takimi virtual me mjekët dhe infermierët që shërbejnë në spitalet ku trajtohen të infektuarit me koronavirus.

Ndërsa dëgjonte rrëfimin e njërës prej infermiereve, Meri Tërner, ai ka kujtuar të birin e ndjerë, Bo Biden dhe nuk është përmbajtur.

Biden tregoi se është emocionuar, pasi i janë kujtuar muajt që ka kaluar në njësitë e Kujdesit Intensiv, kur djali i tij i ndjerë Bo luftonte me kancerin e trurit.

“Tani për tani, infeksionet me COVID-19 po rriten në të gjithë Minesotën dhe vendin. Unë ju them se spitalet tona janë të tejmbushura me pacientë me COVID dhe ne nuk jemi të përgatitur. Ne nuk kemi burimet e nevojshme për të mbajtur të sigurt pacientët dhe punëtorët tanë”, tha infermierja.

Teksa dëgjonte rrëfimin e infermieres Mary Turner, Biden tha se pasi djali i tij kishte ndërruar jetë ai vazhdonte të shkonte në spitalin që kishte trajtuar të birin.

“E dini çfarë bëra për një kohë të gjatë pasi dolëm nga spitali? Kur isha zv.president shkoja dhe i çoja darkën apo ushqime për infermierët që ishin në turnin e natës dhe një infermiere më tha që njerëzit kur ikin nga këtu, ose largohen dhe nuk kthehen më sepse duan të harrojnë atë që kanë përjetuar ose i nxjerrin për të mos u kthyer më kurrë. Dhe unë dua shumë t’ju falenderoj ju të gjithëve, ju falenderoj”.