Politika “Pandemia nxori në pah krizën 7-vjeçare”, Basha: Shkodra, e braktisur nga qeveria

“Pandemia nxori në pah krizën 7-vjeçare”, Basha: Shkodra, e braktisur nga qeveria

Në vijim të turit të takimeve me përfaqësues dhe grupe interesi të prekur drejtpërdrejt nga pandemia e Covid-19, kreu demokrat, Lulzim Basha, është ndalur sot në Shkodër ku ka zhvilluar një takim me biznesin e vogël dhe kryebashkiaken, Voltana Ademi.

Ai ka akuzuar qeverinë se ka braktisur Shkodrën, duke mostejkaluar ndasitë politike dhe duke mos iu bashkuar propozimit të bashkisë për të hequr detyrimet lokale të tyre.

“Vetëm në shoqatën e artizanëve të Shkodrës, 80 sipërmarrës të vegjël janë prekur dhe 4900 biznese janë mbyllur. Shkodra është ndër qytetet më të goditura. Shpresoja që të tejkaloheshin ndasitë politike për ekonominë e familjes së Shkodrës, por jam shumë i zhgënjyer që njerëzit që janë ulur aty mund të bashkoheshin rreth propozimit të bashkisë për të hequr detyrimet lokale. Situata ndodhet në këtë pikë për shkak të braktisjes së Shkodrës nga qeveria”.

Basha përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij për fshehje të numrit të viktimave nga koronavirusi në vendin tonë, ndërkohë që një ditë më parë u regjistrua një tjetër rekord vdekjesh.

“Dje kishim një rekord vdekjesh, numri i vërtetë është edhe më i lartë, gjendja e spitaleve dhe ekonomisë është në kolaps dhe veç propagandës janë e vetmja përgjigje të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë tona si zbatimi i rregullave dhe t’u bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm. Qeveria ka dështuar në mënyrë spektakolare”.

Sipas Bashës kjo gjendje në të cilën ndodhet vendi është pasojë e krizës së zgjatur 7-vjeçare, që pandemia e nxorri në pah.