Ekonomi Pandora Papers: Gjithçka që duhet të dini për kompanitë offshore dhe parajsat...

Pandora Papers: Gjithçka që duhet të dini për kompanitë offshore dhe parajsat fiskale

Të paktën 800 miliardë dollarë të ardhura mungojnë çdo vit në arkat e shteteve në mbarë botën për shkak të fenomenit offshore.

Por si funksionon praktika e parasë sekrete offshore dhe kompanitë guaska të ekspozuara së fundmi nga Pandora Papers?

Çfarë janë parajsat fiskale dhe ku ndodhen?

Parajsat fiskale ose qendrat financiare offshore janë shtete ose vende me taksa shumë të ulëta ose pa taksa për korporatat, gjë që lejon të huajt të hapin lehtësisht biznese atje. Ato zakonisht nuk zbulojnë për publikun të dhënat e kompanive dhe pronarëve. Parajsat fiskale janë të shpërndara në të gjithë botën, si për shembull British Virgin Islands, Singapori, Bermuda, Ishujt Kajman, Malta, Luksemburgu, Panama, Holanda etj.

Përfitimet:

-Krijohen lehtë

-Ligjet fshehin pronarët pas tyre

-Ka pak ose aspak taksa

-Çfarë janë kompanitë guaskë?

Janë kompani të ligjshme të krijuara në një parajsë fiskale që ekzistojnë zakonisht vetëm në letra, nuk kanë punonjës me kohë të plotë dhe as zyra. Një zyrë e vetme në Ishujt Kajman për shembull shërben si adresë e rreth 19 mijë kompanive guaskë. Pronarët e këtyre kompanive nuk zbulohen në dokumente, ata paguajnë një shumë për zyrtarë vendas që shërbejnë si llogaritarë, avokatë dhe drejtorë pa zbuluar pronarin e vërtetë, shpjegon Koncorsiumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë.

Për çfarë përdoren ato?

Për qëllime të ligjshme dhe të paligjshme. Kompanitë guaskë mund të zotërojnë para, shtëpi luksi, pronë intelektuale, biznese dhe asete të tjera. Ato luajnë gjithashtu një rol jetësor në lehtësimin e qarkullimit të parave të pista në gjithë botën.

A është e paligjshme?

Të jesh pronar i një kompanie offshore nuk është e paligjshme, por përdorimi i një rrjeti të ndërlikuar kompanish sekrete për të lëvizur paratë dhe asetet është mënyra ideale për të fshehur përfitimet e aktiviteteve kriminale. Kompanitë përdorin shpesh vakumet ligjore, gjë që shihet si jo etike por nuk shkon kundër ligjit. Ka dhe arsye të ligjshme për përdorimin e offshore si për shembull mbrojtja nga sulmet kriminale ose ruajtja nga qeveritë e paqëndrueshme.

Kush i përdor parajsat fiskale?

Biznesmenët, politikanët, të famshmit, trafikantët e drogës apo armëve, mafiozët, të korruptuarit – një larmi njerëzish përdorin kompanitë guaskë për të fshehur identitetet dhe aktivitetet e tyre. Megjithatë ajo që ngre pikëpyetje për këta persona është mënyra e sigurimit të parave. Bizneset nga ana tjetër i përdorin shpesh herë parajsat fiskale për të shmangur taksat apo për të fshehur përfitimet.

A mund ta zbulojë shteti pronarin e një kompanie offshore?

Shumë qeveri, përfshirë SHBA kanë arritur të depërtojnë në sekretet e kompanive offshore dhe mund të sigurojnë informacione për llogaritë bankare të shtetasve të tyre. Megjithatë vendet në zhvillim bëjnë kërkesa individuale ndaj zyrtarëve në parajsat fiskale, të cilët në shumicën e rasteve refuzojnë të bëjnë publikë regjistrat e kompanive.

Sa para fshihet në offshore?

Sipas ICIJ, 5.6 trilionë dollarë deri në 32 trilionë dollarë mund të fshihen në parajsa fiskale.

Rrjedhja më e fundit e informacionit nga parajsat fiskale, Pandora Papers përfshin 6.4 milionë dokumente, rreth tre milionë imazhe dhe më shumë se një milionë emaile, e rreth gjysmë milioni tabela bilancesh.

Të dhënat ekspozuan sesi më të pushtetshmit në shkallë globale – përfshirë më shumë se 330 politikanë nga 90 vende – përdorin kompanitë offshore për të fshehur pasurinë e tyre.