Kryesore Panucci flet për shkarkimin nga kombëtarja shqiptare: M’u bë e pamundur!

Panucci flet për shkarkimin nga kombëtarja shqiptare: M’u bë e pamundur!

Christian Panucci, ish-trajneri i Shqipërisë, është rikthyer të flasë për eksperiencën e tij me kuqezinjtë, që ka zgjatur thuajse dy vite, si pasues i Gianni de Biasit.

Italiani, që vazhdon të paguhet nga FSHF, duke qenë se është nën kontratë dhe është shkarkuar, pra një prishje jo unanime, por njëpalëshe, ka folur në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”.

Kombëtarja shqiptare

Sa i përket aventurës në stolin kuqezi, që u mbyll pas humbjes me Turqinë, Panuçi tha: “Shumë futbollistë luanin pak dhe kohët e fundit ishte e vështirë të gjeje ide të përbashkëta dhe profesionalitet: m’u bë e vështirë që të përcillja apo praktikoja futbollin që kisha në kokë. Por, nuk kam asnjë peng: ishte një eksperiencë fantastike dhe Shqipërisë do t’i them gjithmonë faleminderit. Për gjithçka”.

Juventusi dhe Championsi

Për “La Gazzetta Dello Sport” ai foli edhe në lidhje me futbollin italian, por kryesisht për fatet e Juventusit në Champions League.

I pyetur nëse Ronaldo do të luajë në ndeshjen e parë ndaj Ajax-it, 45-vjeçari mendon se Allegri nuk do të rrezikojë. “Unë mendoj se Allegri nuk do të rrezikojë nëse ka dyshimin më të vogël”.

Ish-tekniku i Shqipërisë mendon se ky mund të jetë viti i “Zonjës së Vjetër” për fitimin e Champions Leagues. “Nuk besoj te kjo sindroma e humbjes së finaleve nga Juventusi.

“Historia e thotë, por nuk besoj. Kur pashë rikthimin që i bënë rezultatit ndaj Atletico Madridit thashë me vete: ‘Ky mund të jetë viti i tyre'”, – shprehet ndër të tjera italiani.

Gattusso dhe autokritika

Ish-trajneri i përfaqësues sonë bën autokritikë edhe për veten tij, kur pyetet për sa i përket ecurisë se Milanit të Gattusso-s.

“Po bën atë që duhet për të arritur vendin e katërt, megjithëse po rrezikon pak. Skuadra dhe shoqëria rriten pak nga pak nëse arrin Championsin. Skuadrat e mëdha dinë të lënë mënjanë euforinë dhe Gattusso e di këtë. Them se Milani do t’ia dalë të kualifikohet. Piatek në 30 metrat e fundit është si në shtëpinë e tij, por sulmuesit janë si bursa, kanë ulje dhe ngritje, por ai e ka golin në gjak. Edhe mbrojtja ka qenë solide me Romagnolin, por që të gjesh një tjetër, duhet të shpenzosh shumë. Unë, Gattusso dhe të gjithë të rinjtë duhet të bëjmë autokritikë, të rritemi, të njihemi me ndryshimet” është shprehur Panucci.