Bota Papa falënderon gazetarët që zbuluan skandalin e abuzimeve seksuale të Kishës

Papa falënderon gazetarët që zbuluan skandalin e abuzimeve seksuale të Kishës

Papa Françesku falenderoi të shtunën gazetarët që ndihmuan në zbulimin e një skandali rreth abuzimit seksual të priftërinjve që Kisha Katolike fillimisht u përpoq të mbulonte.

Papa tha se vlerësonte “misionin” e gazetarëve dhe gazetarisë. Ai theksoi se është e rëndësishme që gazetarët të dalin “në terren” dhe të zbulojnë se çfarë po ndodh në botën e jashtme, sepse vetëm kështu mund të kundërshtojnë dezinformatat në ueb.

“Unë ju falënderoj që na treguat atë që nuk është e drejtë në Kishë, që na ndihmoni të mos i fshehim gjëra të tilla nën rrogoz, si dhe për zërin që u keni dhënë viktimave të abuzimit”, tha Papa.

Françesku foli në një ceremoni në nder të dy korrespondentëve veteranë të Vatikanit, Philip Pullelle i Reuters dhe Valentine Alazraki i Noticieros Televisa të Meksikës, të cilët kanë mbuluar ngjarjet e Vatikanit gjatë karrierës së tyre të gjatë gazetareske.

Skandalet e abuzimit seksual në radhët e kishave u bënë tituj në vitin 2002, kur gazeta amerikane The Boston Globe botoi një seri artikujsh që ekspozonin modelin e abuzimit priftëror ndaj të miturve dhe kulturën e përhapur të fshehjes së një informacioni të tillë brenda Kishës.

Që atëherë, Kisha është tronditur nga skandale në shumë vende të botës. I fundit u zbulua në Francë, ku një hetim i madh i tetorit zbuloi se priftërinjtë francezë kishin abuzuar seksualisht me më shumë se 200,000 fëmijë në 70 vitet e fundit.

Kritikët e kanë akuzuar Françeskun se ka reaguar shumë ngadalë ndaj skandaleve që kur u bë kreu i Kishës Katolike në vitin 2013. Ai gjithashtu akuzohet se u beson kolegëve të tij priftërinj e jo fjalëve të viktimave të shumta të abuzimit.

Por në vitin 2018, Françesku u përpoq të korrigjonte gabimet nga e kaluara. Më pas ai pranoi publikisht se kishte bërë një gabim në rastin kilian të abuzimit dhe premtoi se Kisha nuk do të përpiqej më kurrë të mbulonte mizori të tilla.

Në vitin 2019, ai bëri thirrje për një “luftë gjithëpërfshirëse” kundër krimeve të tilla që duhet “të fshihen nga faqja e dheut”.

Të shtunën, ndër të tjera, ai tha se misioni i gazetarëve ishte “të sqarojnë, ta bëjnë botën një vend më pak të errët dhe t’u mundësojnë atyre që jetojnë në të të kenë më pak frikë prej saj”.

Për të pasur sukses në këtë, gazetarët duhet të shmangin tiraninë e një pranie të vazhdueshme në internet dhe rrjetet sociale, theksoi Papa.

“Jo çdo gjë mund të thuhet me e-mail, telefon apo ekran”, shpjegoi Ati i Shenjtë.