Bota Papa Françesku: E tmerrshme dhe e papranueshme vdekja e fëmijëve në Tokën...

Papa Françesku: E tmerrshme dhe e papranueshme vdekja e fëmijëve në Tokën e Shenjtë

Nga Sheshi i Shën Pjetrit, Papa Françesku ka reaguar për situatën konfliktuale midis Izraelit dhe Gazës.

“Ku do të çojë urrejtja dhe hakmarrja?”- është shprehur ai gjatë fjalimit të mbajtur para besimtarëve këtë të diel.

“Unë po e ndjek me shumë shqetësim atë që po ndodh në Tokën e Shenjtë: përleshjet e dhunshme të armatosura midis Rripit të Gazës dhe Izraelit rrezikojnë të përshkallëzohen në një spirale vdekjeje dhe shkatërrimi. Shumë njerëz të pafajshëm kanë vdekur, mes tyre ka edhe fëmijë, dhe kjo është e tmerrshme dhe e papranueshme. Vdekja e tyre është një shenjë se ne nuk duam ta ndërtojmë të ardhmen, por duam ta shkatërrojmë atë”- ka deklaruar Papa Françesku, citon Corriere Della Sera.

Thirrja e Papës nga Sheshi i Shën Pjetrit ishte: “Pyes veten: ku do të çojë urrejtja dhe hakmarrja? A mendoni vërtet se po ndërtojmë paqen duke shkatërruar tjetrin? Në emër të Zotit, unë apeloj për qetësi dhe për ata që kanë përgjegjësinë t’i japin fund zhurmës së armëve, për të ndjekur fillimin e paqes, gjithashtu me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Ne duhet të lutemi që vëllezërit tanë izraelitë dhe palestinezë në mënyrë që ata të gjejnë rrugën e dialogut dhe faljes”.

Në lidhje me dialogun, Papa shtoi: “Urrejtja dhe dhuna në rritje që po prek qytete të ndryshme në Izrael është një plagë serioze e vëllazërisë dhe bashkëjetesës paqësore midis qytetarëve, e cila do të jetë e vështirë të shërohet nëse nuk nis menjëherë dialogu”.

Që nga fillimi i luftimeve të hënën të paktën 174 njerëz janë vrarë në Gaza, përfshirë 47 fëmijë dhe 29 gra, ndërsa 1 mijë e 200 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas zyrtarëve izraelitë, dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë nga sulmet e militantëve ndaj Izraelit.