Bota Papa i lutet Zotit: Mëshirë për njerëzimin e sprovuar rëndë nga pandemia

Papa i lutet Zotit: Mëshirë për njerëzimin e sprovuar rëndë nga pandemia

Në mesditë të krishterët e botës u bashkuan me Papën Françesku për t’u lutur për shpresë dhe unitet para kërcënimit global si pandemia e koronavirusit.

Papa Françesku ka kërkuar mëshirën e Zotit për ta shpëtuar botën nga pandemia e koronavirusit.

Të mërkurën, kreu i Kishës Katolike udhëhoqi lutjet për viktimat e Covid-19, duke u apeluar besimtarëve të çfarëdo tradite dhe bindjeje fetare.

“Në këtë moment i përgjërohemi Atit tonë për mëshirë për njerëzimin e sprovuar rëndë nga pandemia e koronavirusit. Të lutemi për të sëmurët dhe familjet e tyre, për punonjësit e shëndetësisë dhe ata që i ndihmojnë, për autoritetet, forcat e rendit e vullnetarët. Ne ia besojmë jetën tonë duarve të Zotit dhe me një zemër e një shpirt të vetëm i lutemi”, u shpreh Ati i Shenjtë nga pallati apostolik.

Mesazhi i tij u transmetua në mesditë, pa prezencën e besimtarëve apo të klerikëve të tjerë.

Që prej shpërthimit të pandemisë globale tashmë të përhapur në 195 vende të botës, Kisha Katolike ka evituar tubimet në Sheshin e Shën-Pjetrit.

Selia e Shenjtë ka njoftuar se aktivitetet e papës 83-vjeçar me rastin e Pashkëve, muajin e ardhshëm po ashtu do të mbahen pa besimtarë për arsye sigurie.

Meshat aty, në Itali dhe në shumë vende të botës janë pezulluar për të evituar mbledhjen e turmave, dhe me raste qëndrojnë hapur për lutjet individuale.

Në Vatikan janë konfirmuar deri tani të paktën 4 persona bartës të koronavirusit, ndërsa në Itali, mbi 50 priftërinj kanë ndërruar jetën nga infeksioni.