Sport Paradoksi, Barella do të jetë blerja me e shtrenjtë e Interit, lë...

Paradoksi, Barella do të jetë blerja me e shtrenjtë e Interit, lë pas Vierin dhe fenomenin Ronaldo

Nicolò Barella “boshatis” arkën e Interit. Firma me mesfushorin e Cagliarit është gjithnjë e më pranë. 22-vjeçari nga Sardenja do të jetë blerja me e shtrenjtë zikaltër, duke arritur në këtë klasifikim Bobo Vierin. Do të kushtojë plot 45 milionë euro, ndonëse që të dalë “tymi i bardhë” duhet të përcaktohen edhe modalitetet e transferimit.

Marotta dhe Ausilio kanë propozuar huazim për 10 deri 12 milionë euro dhe blerjen e detyruar pas një viti, që do t’i garantonte Cagliarit 40 milionë euro në total (28 ose 30 milionë për blerjen përfundimtare). Ndërsa 5 milionë të tjera Cagliari do t’i përfitonte në formën e bonuseve.

45 milionë euro është shifra më e lartë që Interi ka paguar për një futbollist, pikërisht për Bobo Vierin në verën e vitit 1999, nga Lazio.

Në fakt Vieri u ble për 90 miliarda lira të vjetra që me inflacionin e sotëm janë 45 milionë euro

Në podium e futbollistëve për të cilët Interi ka paguar më shumë janë edhe Joao Mario dhe Hernan Crespo. Për portugezin janë shpenzuar 40 milionë euro tre vite më parë, ndërsa për argjentinasin 36 milionë euro në vitin 2002, po nga Lazio.

Në vendin e katërt është Geoffrey Kondogbia, që u afrua nga Milani në verë të vitit 2015 për 31 milionë euro.

Në listën e lojtarëve më të shtrenjtë që kanë mbërritur tek Interi janë shumë emra të tjerë si: Francesco Toldo (27.5 milionë), Diego Milito (25 milionë), Zlatan Ibrahimovic (24.8 milionë).

Po Ronaldo “Fenomeni”? Në vitin 1997 u transferua në Milano nga Barcelona për një shifër totale 26.3 milionë euro (48 miliardë lira). Duke marrë në konsideratë këto shifra, Ronaldo mbetet blerja e shtatë më e shtrenjtë në historinë e Interit.