Ekonomi Parajsat fiskale, KE: Shqipëria në listën “gri”, nën monitorim këtë vit

Parajsat fiskale, KE: Shqipëria në listën “gri”, nën monitorim këtë vit

Ministrat e financave të Bashkimit Europian kanë rifreskuar listën e vendeve të cilësuara si jo-bashkëpunuese për juridiksionin e taksave.

Këto vende janë ato të cilat rëndom i referohemi si parajsa fiskale.

Në listën e zezë janë përfshirë 15 shtete.

Në pjesën dërrmuese janë vendet e vogla të Paqësorit, të cilat njihen si parajsa fiskale.

Por, Bashkimi Europian ka publikuar edhe një listë gri, me 34 shtete, të cilat do të jenë nën monitorim përgjatë 2019 dhe në rast në nuk do të përmbushin një sërë direktivash të dhëna që në vitin 2017, atëherë vitin e ardhshëm do të përfshihen në listën e zezë. Shqipëria është një ndër këto 34 shtete.

Afati për të përmbushur detyrimet në mënyrë që të mos bëhet pjesë e listës së zezë është fundi i këtij viti.

Zvicra, Turqia dhe Bosnje Hercegovina janë vendet e tjera europiane të përfshira në listën gri, ndërkohë që në listën e zezë nuk ka asnjë shtet europian të përfshirë.

Ndryshimet e fundit ligjore të qeverisë shqiptare, sidomos sa i përket transparencës në lidhje me emrat dhe origjinën e kompanive të cilat fitojnë tendera publikë, pritet ta përmirësojnë ndjeshëm situatën në këtë drejtim, dhe ndoshta edhe të shmangë përfshirjen në listën e zezë  të vendit tonë vitin e ardhshëm, si dhe heqjen nga lista gri.

Bashkimi Europian i klasifikon vendet në bazë të kritereve si transparenca apo konkurrenca e ndershme.