Aktualitet Paralajmërimi i Prokurorit të Përgjithshëm: Rrezikojmë që stoku i dosjeve të bëhet...

Paralajmërimi i Prokurorit të Përgjithshëm: Rrezikojmë që stoku i dosjeve të bëhet i papërballueshëm

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, paralajmëroi se mbingarkesa e punës së prokurorëve rrezikon të shtojë stokun në atë nivel sa të bëhet i papërballueshëm.

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë me rastin e 5-vjetorit të miratimit të Reformës në Drejtësi, Çela tha se situata është mjaft e rënduar për shkak të vakancave që po krijohen.

“Nga ajo që parashikojmë për në vjeshtë, kjo situatë do të rëndohet edhe më tej. Çka e bën të domosdoshme ndërmarrjen e hapave konkretë në drejtim të ribërjes së hartës gjyqësore. Rrezikojmë që stoku i dosjeve të bëhet gati i papërballueshëm në kushtet e vonesës të riorganizimit të strukturave të prokurorisë”, tha Çela.

Ai kërkoi ndryshime në ligjin e magjistraturës dhe gjithashtu që viti i tretë në shkollën e Magjistraturës të jetë vit pune, sepse sipas tij do të sillte rifreskim dhe energji të reja për sistemin.

Çela shtoi se ka gjithashtu boshllëqe për mënyrën sesi është konceptuar funksionimi i bashkëpunimit mes Prokurorisë dhe KLP. “Garantimi i pavarësisë së prokurorëve duhet të shoqërohet me rritje të llogaridhënies së tyre. Mungon matja e performancës së tyre. Sistemi aktual ka nevojë për përmirësime”, tha ai.