Kryesore Paralajmërimi i Ramës: Do të ketë masa të forta, edhe heqje lirie...

Paralajmërimi i Ramës: Do të ketë masa të forta, edhe heqje lirie për disa vite

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për masa të reja shtrënguese për ata që shkelin rregullat e vënë për ndalimin e përhapjes së Covid-19.

Përmes një statusi në Facebook, Rama shkruan se këto masa do t’i drejtohen Parlamentit për ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Rama shtoi se heqja e lejes së drejtimit të automjetit për disa vjet, e po ashtu heqja e lirisë, do të kthehen në norma bindëse për të siguruar fitoren e luftës pa cenuar shëndetin e askujt.

Rama: Masat e reja shtrënguese, për të cilat po përgatitemi t’i drejtohemi parlamentit për ndryshime në kodin penal & rrugor të republikës së Shqipërisë, në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe specifikisht epidemisë, nga njëra anë do të mbrojnë popullin nga të pabindurit deri në fund të kësaj lufte, nga ana tjetër do të garantojnë lehtësimet e nevojshme në vazhdim, duke siguruar shëndetin e çdo qytetari. Heqja e lejes së drejtimit të automjetit për disa vjet, e po ashtu heqja e lirisë, për disa apo shumë vite sipas shkallës së shkeljes, do të kthehen në norma bindëse për të siguruar fitoren e luftës pa rrezikuar arritjet e derisotme dhe rrugën e rimëkëmbjes ekonomike pa cenuar shëndetin e askujt. Brenda 15 prillit do të kemi paketën e zgjeruar financiare dhe gatishmërinë për miratimin e masave lehtësuese në qeveri, si edhe të masave të reja penale në kuvendin e Shqipërisë.