Kryesore Paralajmërimi i Ramës: Meta humbi të drejtën të qëndrojë në atë zyrë

Paralajmërimi i Ramës: Meta humbi të drejtën të qëndrojë në atë zyrë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Presidentin Ilir Meta pas vendimit të këtij të fundit, i cili të shtunën anuloi datën e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit. Nga Burreli ku vijoi fushatën elektorale të Partisë Socialiste, Kryeministri u shpreh se Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës.

Kreun e shtetit, Rama e cilësoi si “shpëtimtarin” e opozitës, por paralajmëroi se të gjithë ata që kërkojnë largimin e Kryeministrit, do të largohen vetë. Sa i përket zgjedhjeve, Kryeministri Rama u shpreh i bindur se do të zhvillohen më 30 Qershor dhe vendimin e Metës për anulimin e kësaj date e konsideron nul.

“Dje papritur për shumëkënd por krejtësisht sipas parashikineve tona dhe të mia, u shfaq shpëtimtar i atyre që kishin mbetur në rrugë as më shumë as më pak por Presidenti i Republikës, duke paralajmëruar një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, dhe moralisht është turp si s’ka më turp. Dhe mos u çudisni nëse ju them nga fronti i shpëtimtarit të opozitës s’keni parë asgjë akoma, nuk është çmenduria e fundit por do ketë edhe të tjera. Do apo s’do Saliu, do apo s’do Iliri, do apo s’do Lulzimi, do apo s’do filxhani, zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor. Kushtetuta e Republikës nuk është filxhan që rrotullohet. Dje Ilir Meta ka shkruar fatin e tij si një President që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë. Udhëheqësit e “Rama ik” do ikin vetë një e nga një”, deklaroi Rama.

Sipas Kryeministrit, aksioni i opozitës bëhet për të shkatërruar reformën në drejtësi, kurse 30 Qershorin e konsideron fillimin e fundit të tyre politik.

“Lufta e tyre nuk bëhet për zgjedhjet, por për të varrosur reformën në drejtësi. Të gjitha këto që do dëgjoni janë për të vazhduar për të tërhequr për hunde këdo që besojnë ata. Ja ku e nxorrën kokën mbrëmë, por prisni se kanë nxjerrë vetëm ballin. Nuk e kanë me mua ata. Po unë jam pengesa midis jush dhe atyre. Zgjedhjet e 30 Qershorit me mbështetjen tuaj do të jenë momenti i fillimit të fundit të tyre politik”, tha Kryeministri.

Duke komentuar protestën e 8-të opozitare të së shtunës, kreu i qeverisë tha se numri i protestuesve në bulevard ishte më i vogël se herët e kaluara.

“Mbrëmë opozita e rrugës ishte më e pakët se asnjëherë në bulevard. Pavarësisht se ata sa më shumë pakësohen aq më shumë shtrihen në bulevard si çamçakiz. Qeverinë nuk e rrëzon dot asgjë përveç votës së popullit, por dëmton secilin, dëmton ekonominë e secilit”.