Kuriozitete Paralajmërimi për turistët në Santorini: Kujdes me gomerët, ndryshe u pret gjoba

Paralajmërimi për turistët në Santorini: Kujdes me gomerët, ndryshe u pret gjoba

Turistët që keqtrajtojnë gomarët në Greqi do të gjobiten rëndë.

Vendimi i dënimit erdhi pasi pati shumë ankesa për trajtimin e këtyre kafshëve në ishullin grek të Santorinit.

Ministri i Bujqësisë, Makis Voridis ka thënë se gjobat do të shkojnë deri në 30 mijë euro për çdo lloj abuzimi me gomerë dhe mushka.

Lajmet për sanksionet erdhën pasi organizatat e të drejtave të kafshëve paralajmëruan se një kafshë ishte lënduar pas një udhëtimi turistik në Santorini.

Shqetësime për trajtimin çnjerëzor të kafshëve u shpreh nga bateristi i “Mötley Crüe”, Tommy Lee. Ai shkroi në një letër të hapur autoriteteve: “Unë jam i nderuar që kam lindur në Athinë. Kudo që udhëtoj me bandën time, unë me krenari vë në dukje origjinën time greke.

Por ekziston një problem që po përkeqëson reputacionin e Greqisë, i cili shpresoj se do ta zgjidhni: abuzimin e sëmurë ndaj gomaricave dhe mushkave nga turistët që u hipin nëpër rajone të pjerrëta të Santorinit.

Kam vizituar ishullin këtë verë. Unë nuk pranova të vij në qendër të qytetit nga gomari.

Turistët duhet të përdorin teleferikun si transport.

Në vend të kësaj, ata përdorin gomaret.

Shalat e papërshtatshme shkaktojnë plagë të cilat shpesh lihen pa u trajtuar. Kafshët nuk kanë mbrojtje nga dielli i fortë dhe rrallë u lejohet pushimi. Atyre madje u mohohet uji dhe ushqimi.

Unë e di që ju keni fuqinë për të ndaluar këtë – për ta bërë Santorini më mikpritës për turistët dhe kafshët. Ju lutemi t’i jepni fund egërsisë ndaj kafshëve menjëherë”, shkruan Tommy Lee.

Santorini vizitohet çdo ditë nga 1200 turistë. Shumë prej tyre përdorin gomerë si transport nëpër shpatet e ishullit.

Ministri Voridis iu përgjigj letrës, duke vënë në dukje se dispozitat ligjore për sezonin turistik 2020 ishin duke u forcuar.

“Mirëqenia e kafshëve është një shqetësim i madh për mua personalisht dhe Ministrinë. Ata që shkelin ligjet do të ndëshkohen. Unë kujtoj se gjobitja shkon deri në 30,000 euro”, tha Voridis.

Ai pretendon se akuzat nuk po injorohen dhe se rregullat e BE-së për mirëqenien e kafshëve janë duke u respektuar. Sipas tij, qëllimi është ruajtja e traditës së popullatës lokale, por edhe mbrojtja e kafshëve.