Aktualitet Parandalohet vrasja në Maliq, arrestohet 30-vjeçari me precedent penal

Parandalohet vrasja në Maliq, arrestohet 30-vjeçari me precedent penal

Një sherr për motive të dobëta gati sa nuk ka përfunduar me vrasje në Maliq. Mësohet se 30-vjeçari Juxhin Qesaraka, ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person pas një konflikti që ka pasur me të mbrëmjen e djeshme.

E gjithë ngjarja është regjistruar rreth orës 22:30, në fshatin Pendavinj në Maliq. Policia sqaron se Qesaraka, person me precedent penal, ka qëlluar me armë zjarri kundër një personi por fatmirësisht ky i fundit nuk ka marrë dëmtime.

Pas një aksioni nga policia e Korçës dhe forcave “Shqiponja” është arritur që të arrestohet 30-vjeçari. Ndërkohë atij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale krehra automatiku dhe pushke, pjesë të tjera përbërëse të armëve të zjarrit dhe municion luftarak.

Tashmë i riu do të përballet në gjykatë me dy akuza “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.