Ekonomi “Parandaloni më të keqen”- Rama zbulon bisedën me zyrtaren e BB: Skema...

“Parandaloni më të keqen”- Rama zbulon bisedën me zyrtaren e BB: Skema e pensionit ishte në prag të kolapsit

Kryeministri Edi Rama është shprehur se qeveria e kaluar mendonte sot për sot për sistemin e pensioneve dhe kishte krijuar premisat e një skeme që sipas tij, ishte në prag të kolapsit.

Komentet Rama i bëri një takimi në Tiranë të quajtur ‘Konferenca Ndërkombëtare për sfidat dhe ambiciet e reformës së re të sistemit të pensioneve për Shqipërinë 2030’.

Rama tha gjatë fjalës së tij se në nisje të mandatit të parë qeverisës, gjatë një bisede, drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore i kishte thënë se prioriteti më i madh i ekzekutivit të drejtuar prej tij duhet të ishte ‘parandalimi i më të keqes’.

Ai shtoi se Qeveria sot është e gatshme të marrë përgjegjësinë për kërkesat e të moshuarve, por sipas kryeministrit, ata janë të vetëdijshëm se në këtë pikë do të ishte fatale nëse do të vepronin pa një plan veprimi afatgjatë.

“Edhe në sistemin e pensioneve ka ndodhur e njëjta gjë, duke menduar sot për sot dhe duke krijuar premisat e një skeme në prag të kolapsit. Ndërsa drejtorja e Bankës Botërore për Europën Juglindore më kishte thënë në takimin e parë ‘prioriteti më i madh i qeverisë tuaj është parandalimi i më të keqes’.

Sot natyrisht jemi në kushte absolutisht të tjera dhe patjetër që e ndiejmë, e mirëkuptojmë dhe e marrim përgjëgjësinë lidhur me kërkesën insistuese të pensionistëve për të marrë pjesë në mënyrën më domethënëse në shpërndarjen e fruteve të reformave dhe të rritjes së përgjithshme të ekonomisë.

Por nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm që do të ishte fatale që në këtë pikë ne do të vepronim pa pasur një vizion afatgjatë dhe pa pasur një plan të qëndrueshëm afatgjatë. Sepse do të shkaktonim të njëjtat dëme dhe pasoja shumë të ngjashme me ato që u shkaktuan nga veprimet që faktikisht na kishin vënë përpara një sistemi pensionesh të pakuptueshëm, absurd dhe të rrezikshëm, kur ne ndërmorëm reformën në vitin 2014. Atëherë ne bëmë të njëjtën gjë me këtë që po bëjmë sot”, tha Rama.