Kulturë Paris, tenori i njohur këndon “Caruso-n” për fqinjët e izoluar dhe një...

Paris, tenori i njohur këndon “Caruso-n” për fqinjët e izoluar dhe një homazh për Italinë

Parizienët që vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, për shkak të situatës me koronavirusin COVID-19, dolën nëpër ballkone për të dëgjuar “Caruso-n” të kënduar nga tenori i njohur francez, Stephane Sénéchal.

Këngëtari i njohur i operës doli në një ballkon në Arrondissement 9 të Parisit, ku u ndoq nga dhjetëra fqinj të cilët u shfaqën nëpër ballkone. Kënga ishte një homazh edhe për italianët që po kalojnë ditët dramatike.

Qeveria franceze u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda në shtëpi, që nga data 17 mars, si pjesë e masave që po merren për të frenuar përhapjen e koronavirusit COVID-19.

Franca është e katërta në Europë për nga numri i të infektuarve, por e treta për numrin e të vdekurve.

Deri të dielën e 22 marsit janë regjistruar 14.485 të infektuar dhe 562 të vdekur, ndërkohë që autoritetet thonë që më e keqja ende nuk ka mbërritur.