Bota Parlamenti Europian po bëhet më femëror

Parlamenti Europian po bëhet më femëror

Në Strasburg parlamenti i sapozgjedhur europian është duke filluar punën. Çfarë përbërje ka ai? Cili vend ka dërguar më shumë gra? Çfarë moshe kanë deputetët? Një analizë e të dhënave.

“Kur hap gazetën në mëngjes, shoh Europën e burrave të ditur dhe të moshuar, të veshur me kostume të zeza, që nënshkruajnë kontrata diku në një zyrë mbrapa”, tha më 2014 parlamentarja europiane e Të gjelbërve, Terry Reintke. Kjo nuk është Europa ime, shtoi ajo.

Gjithnjë e më shumë politikanë janë duke luftuar për ndarje të drejtë gjinore të posteve politike dhe mandateve të Bashkimit Europian. Presidenti francez Emmanuel Macron, këmbënguli për herë të parë që katër postet më të larta europiane, pra postet e Presidetit të Komisionit të BE, të Presidentit të Këshillit, të të ngarkuarit me politikën e jashtme dhe të Shefit të Bankës Qendrore Europiane (EZB) të zihen nga dy burra dhe dy gra.

Përqindja e grave shtohet nga 36 në 40 përqind

Parlamenti Europian është duke iu afruar ngadalë me përbërjen e tij ndarjes së barabartë gjinore. Në krahasim me 2014, përqindja e grave është rritur në 40 përqind. 446 burra dhe 302 gra do të marrin pjesë ditën e martë në takimin e parë konstitucional. Faktikisht do të duhet të ishin 751 deputetë, por tre vendet e eurodeputetëve të zgjedhur në Spanjë mbeten të pazëna sepse autoritetet spanjolle bllokojnë mandatet e separatistëve katalanë.

Të Gjelbërit tejkalojnë planin

Një shikim mbi fraksionet e veçanta në Parlamentin Europian tregon se pjesa e grave mbetet e pabarabartë.

Në krye me 39 gra dhe 37 burra është fraksioni i Të Gjelbërve/European Free Alliance (EFA). Ky fraksion përbëhet nga të gjelbërit dhe Aleanca e Europianëve të lirë, ku marrin pjesë deputetë të pavarur, Piratët, dhe përfaqësues nga kombet pa shtet dhe pakicat e pafavorizuara. Ky fraksion kishte në parlamentin e kaluar 51 anëtarë, mbas suksesit në zgjedhje të Të Gjelbërve ka tani 76 anëtarë nga gjithsej 16 vende të BE.

Në të gjitha fraksionet e tjera numri i grave është më pak se gjysma. Me 48 përqind gra, në vend të dytë është Renew Europë, një fraksion i sapokrijuar që pasohet nga Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE). Në parlamentin e ri ky fraksion merr pjesë me 109 deputetë dhe është forca e tretë.

45 përqind pjesëmarrje të grave sjellin GUE/NGL, konfederata e fraksioneve të Të majtës së bashkuar europiane/ Të majtët e gjelbër nordik. Këta kanë vetëm 40 anëtarë dhe janë fraksioni më i vogël i parlamentit europian

Forca e dytë më e madhe politike është fraksioni i Socialdemokratëve Europianë S&D. Nga 152 deputetët 43 përqind janë gra.

Pjesëmarrjen mesatare të grave, pra 40 përqindshin, e sjell këtë vit edhe e sapokrijuara ID, një bashkim i partive populiste të djathta, partive nacionaliste dhe ekstremiste të djathta, mes të cilave Lega italiane, Rassemblement National francez dhe AfD gjermane. Synimi i ID ishte të kthehej në fraksionin më të madh në parlamentin e ri europian. Por, deputet e PiS polake dhe Fidesz-it hungarez nuk u bashkuan

Fraksioni më i madh është burrëror

Megjithë mosmarrëveshjet e mëdha, hungarezët qëndruan tek EVP. Partia popullore europiane, EVP mbetet me 182 deputetë fraksioni më i madh në Parlament. Ata vijnë që nga partitë kristian-demokrate dhe konservatoro-qytetare e deri tek partitë anëtare nacional-konservatore e populiste të djathta. Kundrejt 120 burrave ndodhen 62 gra, pra pjesëmarrja e grave është 34 përqind.

Një vend të veçantë zë EFDD. Në statistikat e Parlamentit Europian është futur Fraksioni Europa e lirisë dhe demokracisë direkte me 43 anëtarë dhe pjesëmarrje të grave prej 37 përqind. Por meqenëse AfD gjermane do që të shkojë tek fraksioni ID, dhe Lëvizja italiane Pesë Yjet po ashtu ka bërë të ditur se do të dalë nga EFDD, nuk do të plotësoheshin kushtet zyrtare për krijimin e një fraksioni. Por luftëtari britanik i Brexitit, Nigel Farage ka bërë të ditur se do vazhdojë të mbajë fraksionin duke marrë anëtarë të tjerë.

Përqindja më e ulët e grave ndodhet tek EKR, fraksioni i konservatorëve dhe reformistëve europianë. Ata kanë 62 anëtarë në parlamentin e ri, një e treta janë gra. Ky fraksion nacional- konservator dhe kritik ndaj BE, ekziston prej 2009 dhe pjesa më e madhe e anëtarëve janë nga partia polake, e Ligjit dhe Drejtësisë (PiS).

Suedezët dërgojnë përqindjen më të madhe të grave

Parë në përgjithësi vendet anëtarë kanë dërguar në parlamentin e ri të BE më shumë burra se sa gra. Por në veçanta ka edhe dallime midis vendeve. Suedia dhe Finlanda ndodhen në krye për pjesëmarrjen e grave.

Numër të barabartë burrash dhe grash ka Franca (74 deputetë), Austria (18 deputetë), Sllovenia dhe Letonia me 8 deputetë, si dhe Malta dhe Luksemburgu me 6 deputetë.

Gjermania ka me 96 deputetë, numrin më të madh në Parlamentin Europian. Por me 36 përqind pjesëmarrje të grave, ndodhet në vend të 18 në radhitjen sipas pjesëmarrjes së grave.

Më pak se 30 përqind grash kanë Bullgaria (17 deputetë), Lituania (11 deputetë), Greqia (21 deputetë), Rumania (32 deputetë) dhe Sllovakia (13 deputetë).

Vendin e fundit e zë Qipro, ku të gjashtë deputetët janë burra.

Parlamenti i ri ka moshë më të re

Mosha e 748 deputetëve jep mesataren prej 51 vjeç. Më 2014 mosha mesatare ka qenë 56 vjeç.

Zbërthyer mes partive, del se Të gjelbërit, Liberalët, Të majtët dhe deputetët pa fraksion kanë pjesën më të madhe të parlamentarëve me moshë të re. Tek të djathtët dhe konservatorët, por edhe tek socialdemokratët marrin pjesë më shumë parlamentarë të moshuar se sa të rinj. Deputeti më i ri është 21 vjeç dhe bën pjesë tek Të Gjelbërit/EFA. Më i moshuari është 83 vjeç dhe është anëtar i EVP.

Sabine Kinkartz/DW