Bota Parlamenti i Kubës miraton Kushtetutën e re. Sistem njëpartiak, por lejon martesat...

Parlamenti i Kubës miraton Kushtetutën e re. Sistem njëpartiak, por lejon martesat gay

Ligjvënësit kubanë miratuan në mënyrë unanime Kushtetutën e re të vendit, që ruan sistem njëpartiak socialist në ishull, por reflekton hapjen socioekonomike të tij.

Kushtetuta e re, që ka 229 nene dhe do të zëvendësojë atë të “erës së ftohtë”, sanksionon sërish Partinë Komuniste si forca udhëheqëse e vendit, si dhe dominimin e shtetit në ekonomi.

Dokumenti, që ende nuk është bërë publik, sidoqoftë legjitimon biznesin privat që ka lulëzuar dekadën e fundit, pranon rëndësinë e investimeve të huaja dhe hap derën për martesat “gay”, sipas medies shtetërore.

Ajo përcakton moshën dhe afatet e mandatit presidencial, pasi kreu revolucionar Fidel Castro dhe vëllai i tij Raul sunduan vendin për rreth 6 dekada, si dhe përfshin edhe rolin e një kryeministri.

“Kubanë të sotëm, besnik ndaj traditave. Ne po miratojmë sot Kushtetutën e re, si një shprehje e vendosmërisë, besnikërisë ndaj trashëgimisë së kryekomandantit të revolucionit kuban, Fidel Castro, dhe me votën tonë i themi po revolucionit, sovranitetit dhe pavarësisë së atdheut, unitetit, socializmit dhe angazhimit ndaj heronjve dhe martirëve të më shumë se 150 viteve betejë për liri”, tha Miguel Diaz-Canel, president i Kubës.

Presidenti Diaz-Canel tha po ashtu se të vetëpunësuarit nuk janë armiq të revolucionit, por rezultat i procesit të rinovimit të modelit ekonomik. Kushtetuta e re, që përfshin shumë ndryshime të propozuara edhe nga qytetarët gjatë një konsultimi publik tremujor, do të hidhet në referendum më 24 shkurt.