Politika Parlamenti i ri, të shtunën dy seanca. Do të votohet dhe qeveria

Parlamenti i ri, të shtunën dy seanca. Do të votohet dhe qeveria

Sipas dekretit të presidentit Ilir Meta Parlamenti do të mblidhet të shtunën më 9 shtator në orën 10.00. Në këtë seancë do të bëhet betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit.

Sipas rregullores seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, që është Sali Berisha. Por ai është shprehur dhe më herët se nuk dëshiron të drejtojë seancën, dhe në radhë deputeti më i vjetër është Tritan Shehu. E nëse edhe ky i fundit refuzon gjithçka do të drejtohet nga Gramoz Ruçi i cili i bie i treti në radhë.

Por krahas seancës së betimit të deputetëve po në të njëjtën ditë, të shtunën në orën18.00 Parlamenti i ri do të votojë dhe për qeverinë “Rama 2”. Gjithë kjo përshpejtim procedurash pasi Presidenti Ilir Meta do të nisë të hënën më 11 shtator një vizitë zyrtare në Itali, vizita e parë e Metës si kreu i shtetit jashtë vendit.

Pas seancës së pasdites së të shtunës Meta do të vendosë dhe firmën e tij mbi emrat e ministrave.