Ekonomi Parlamenti miraton në parim buxhetin 2023

Parlamenti miraton në parim buxhetin 2023

Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar në parim me 76 vota pro buxhetin për vitin 2023. Kundër buxhetit 2023 votuan 41 deputetë të opozitës dhe nuk kishte asnjë abstenim.

Në tabelën elektronike pasqyrohen 40 vota kundër, pasi 1 deputet i opozitës votoi me karton për shkak të një defekti teknik.

Buxheti 2023 u votua në parim nga Parlamenti së bashku me paketën fiskale. Diskutimet për buxhetin 2023 u shtrinë në dy ditë, të mërkurën dhe të enjten, për shkak të listës së gjatë të deputetëve që do të mbanin fjalën e tyre.

Të mërkurën debati nisi mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të opozitës. Këta të fundit e kundërshtojnë buxhetin 2023 të qeverisë, duke e konsideruar si vjedhjen e qytetarëve.

Por Kryeministri Edi Rama thotë se ky buxhet është më i madhi ndonjëherë dhe është dyfishi i buxhetit të vitit 2013.

Rama thotë se ky buxhet do të shkojë në mbrojtje të familjeve shqiptare e biznesit të vogël, ul borxhin dhe rrit pagat e pensionet duke mbajtur peshën e çmimit të energjisë elektrike. Parashikohet gjithashtu që të rritet përsëri paga minimale dhe të shkojë në vlerën e 360 mijë Lekëve të vjetra.

Maratona 2-ditore e Parlamentit ishte për të diskutuar dhe votuar në parim buxhetin 2023, ndërsa në seancat e tjera të mëvonshme parlamentare do të ketë edhe diskutim nen për nen për këtë buxhet.