Kryesore Parlamenti miraton ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet, rrëzohet “Becchetti”

Parlamenti miraton ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet, rrëzohet “Becchetti”

Parlamenti ka miratuar me 123 vota pro ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat pasi në shumicë absolute deputetët votuan pro, duke mos pasur asnjë votë kundër apo abstenim.

E kundërta ka ndodhur me propozimin e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni tjetër për çështjen që lidhet me biznesmenin italian, Francesco Becchetti.

Mazhoranca qeverisëse e rrëzoi propozimin me 77 vota kundër, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar më parë. Pro ngritjes së këtij komisioni votuan 46 deputetë.

Mazhoranca pretendon se çështja Becchetti është ende në proces dhe se të dhënat e saj ruhen nga konfidencialiteti.

“Konfidencialiteti i çështjes është detyrues për qeverinë e Shqipërisë, edhe për parlamentin të paktën duhet të jetë”, u shpreh më herët Rama.

Votimi për Komisionin Hetimor për inceneratorët u shty për seancën tjetër me dakordësinë e palëve për të saktësuar objektin e hetimit të tij.