Politika Parlamentin e ri e “pushtojnë” avokatët, Rama nuk është më i vetmi...

Parlamentin e ri e “pushtojnë” avokatët, Rama nuk është më i vetmi artist

Nga një verifikim i profesioneve të deputetëve të rinj të Kuvendit, rezultojnë se rreth 40 prej tyre kanë përfunduar studimet për Drejtësi, ndërkohë që një pjesë mbajnë dhe titullin e avokatit.

Partia Socialiste ka në radhët e saj, 15 deputetë që kanë përfunduar fakultetin e Drejtësisë.

Po aq rezulton të jetë dhe numri i ligjvënësve të Partisë Demokratike, të cilët udhëhiqen kësaj radhë nga Lulzim Basha që me profesion është jurist.

I lartë është dhe numri i deputetëve të rinj me profesion ekonomist. Në total rezultojnë se në karriget e deputetëve do të ulen 20 ekonomistë nga Partia Socialiste, shkruan panorama. Ndërkohë që nga Partia Demokratike janë vetëm 7 ekonomistë.

LSI-ja ka në radhët e saj një ekonomist të mirëfilltë që është deputeti i Dibrës, Përparim Spahiu.

Në legjislaturën e re bie në sy një ulje e deputetëve mjekë.

Në Partinë Socialiste janë vetëm 5 deputetë që kanë përfunduar për mjekësi. Ndërsa në Partinë Demokratike janë 5 mjekë, më në krye kardiologun, Sali Berisha dhe gjinekologun, Halim Kosova.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka në radhët e saj 3 mjekë, duke numëruar dhe veterinerin, Edmond Panariti.

Edi Rama, në Kuvendin e ri, nuk do të jetë i vetmi artist, në radhët e socialistëve është dhe deputeti i ri i Vlorës, Fatmir Velaj, i cili ka qenë këshilltar i Kryeministrit.

Partia Socialiste ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm deputetësh që kanë përfunduar Inxhinierinë.

Numërohen 12 deputetë me profesion inxhinier në radhët e PS­së, ndërsa Partia Demokratike ka vetëm 6 deputetë që kanë përfunduar Inxhinierinë.