Politika Partia e Lirisë publikon dokumente të reja: Inceneratorët morën kredi duke lënë...

Partia e Lirisë publikon dokumente të reja: Inceneratorët morën kredi duke lënë peng pronat shtetërore

Partia e Lirisë publikoi këtë të martë dokumente të reja nga afera e inceneratorëve. Sipas këtyre dokumenteve, inceneratori i Tiranës ka marrë rreth 16 mln euro kredi në bankat e nivelit të dytë duke lënë peng pronat shtetërore.

“Tregojmë se si qeveria shqiptare me kokën e gjithë kësaj afere dhe grupi të strukturuar kriminal që është Edi Rama ka vënë në dispozicion të kësaj skeme të mirëorganizuar edhe pronat publike, që janë lënë peng në banka të nivelit të dytë për paratë që shkojnë përtej detit”, deklaroi kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, para se t’i kalonte fjalën Briseida Shehajt për të prezantuar dokumentaconin e ri.

Shehaj tha se gjithçka nis nga neni 5.2.2 i kontratës së koncesionit të inceneratorit të Tiranës, që i jep të drejt kompanisë që të lerë peng në banka të nivelit të dytë për të marrë kredi dhe peng, sipas saj, nuk janë lënë vetëm pronat e koncesionit, por edhe sheshet e rrugët që të çojnë te ky koncesion.

“Këtu nis gjithçka. Inceneratori ka marrë kredi 8 mln euro te një bankë dhe është firmosur në 1 nëntor 2021, ndërsa në total shuma për t’u shlyer në banka është rreth 16 mln euro dhe këtu janë lënë peng pronat shtetërore”, tha Shehaj.

Sipas Shehajt, për kredinë 8 mln euro, kompania Integrated Energy BV SPV, që zotëron koncesionin e inceneratorit të Tiranës i është drejtuar me dy shkresa Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, ku u kërkon që të njoftojnë bankën se miratojnë lënien peng të pronës shtetërore për kredinë në fjalë.

Shehaj tha se dy institucionet kanë dhënë pëlqimin dhe më 1 nëntor është miratuar kredia në bankën e nivelit të dytë. Por, më 7 dhjetor 2021, sipas dokumentacionit të publikuar nga Partia e Lirisë, banka bllokon lëvrimin e këstit të fundit të kredisë, prej 1.1 mln eurosh.

Në arsyetimin e dhënë, sipas Shehajt, banka i kërkon kompanisë së inceneratorëve që të dorëzojë dokumentacion që të provonte zyrtarisht se kompania, apo drejtuesit e saj nuk ishin nën hetim procedurial nga SPAK-u.

Ky konfirmim nuk u dorëzua, sipas Shehajt, pasi procedimi penal i SPAK për inceneratorin e Tiranës kishte filluar që në muajin shtator.

“Pra, më 1 nëntor pasi këta dhanë miratimin shteti e dinte që kishte një procedim penal, sepse nisja e procedimit penal ka ndodhur në shtator. Megjithatë, këta (Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës) kanë dhënë miratimin pa asnjë problem për kolateralin”, tha Shehaj.

Partia e Lirisë thotë se në shkurt të këtij viti, tre muaj pasi kishte marrë kredinë prej 8 mln eurosh, kompania nuk kishte nisur shlyerjen e saj.

“Në shkurt nisin problemet për kompaninë. Ajo ka marrë kredi për blerje mjetesh dhe banka thotë se janë 80 ditë vonesë për 450 mln lek me vonesë dhe nëse nuk paguhen banka konfiskon kontratën koncesionare dhe pronat e shqiptarëve”, u shpreh Shehaj.

Veç kësaj, Partia e Lirisë tha se inceneratori ka përfituar fonde dhe kredi me garanci sovrane nga qeveria si pjesë e paketave të ndihmës kundër pasojave të pandemisë, pavarësisht se puna në landfill nuk u ndërpre gjatë kësaj periudhe.

“Më 22 maj 2020, inceneratori i Tiranës përfiton edhe fond edhe kredi me garanci sovrane, kur dihet që ata punuan dhe nuk përfitonte fond për pagat. Morën 250 mln lek të vjetra, si fond për pagat dhe garancia në masën 100 për qind nga ana e shtetit për kredinë”, deklaroi Shehaj.

Si provë që paratë që qytetarët paguajnë për këtë koncesion nuk investohen në landfill, por transferohen jashtë, PL publikoi një dokument që tregonte transferimin e 20 mijë eurove drejt kompanisë mëmë, GeoGenix BV në Holandë me arsyetimin si pagesa qiraje e pagash.

Në fund, Ilir Meta tha se hetimi ka ecur ngadalë, por shtoi ai, është një hetim i komplikuar dhe i gjerë. Ai nxit SPAK-un që t’i shkojë deri në fund, ndërsa akuzoi Ramën se po përpiqet që të vendosë qytetarët përballë drejtësisë.

“Skema tregon që paratë nuk rrinë në Shqipëri, nuk investohen në Shqipëri. SPAK të hetojë me tej. Është një hetim shumë i komplikuar dhe me volum dhe normalisht që kërkon kohë, por ka rëndësi që e gjithë afera është mirëdokumentuar që rëndon pozitën e të gjithë grupit kriminal me në krye kryeministri aktual. Edi Rama është i përfshirë 100 për qind kokë e këmbë në këtë aferë dhe kërkon t’i vendosë përpara drejtësinë popullit. Shpresojmë që drejtësia nuk ka asnjë arsye pse të përplaset me popullin”, u shpreh ai.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me shpërdorim detyre, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal dhe drejtësia do të veprojë kur të sigurojë të gjitha provat dhe dokumentet e provuara zyrtarisht deri më tani.

Hetimet kanë ecur me hapin e breshkës, ata vazhdojnë të vjedhin me shpejtësinë e kangurit.

Nuk është thjesht problem ministrie, bashkie, por gjithë shteti kokë e këmbë. Është Edi Rama në krye të kësaj afere dhe koka. Kemi shumë gjëra të tjera dhe kemi të gjithë vendosmërinë që t’i shkojmë aferës deri në fund. Çdo tolerim është tradhti kombëtare, do të toleronim shkatërrimin e shtetit”, theksoi Meta.