Bota Partitë e Macron e Le Pen dështojnë, rikthehen golistët e Sarcozy

Partitë e Macron e Le Pen dështojnë, rikthehen golistët e Sarcozy

Si partia e presidentit francez Emmanuel Macron, ashtu edhe kundërshtarja e tij Marine Le Pen nuk arritën objektivat që synonin në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale.

Exit Poll-et treguan se partia e qendrës e Macron mori pak më shumë se 10% të votave, minimalja e domosdoshme për të marrë pjesë në raundin e dytë fundjavën e ardhshme. Një nga deputetet e partisë së tij, tha se ky rezultat ishte një “shuplakë e fort në fytyrë”.

Partia e Marshimi Kombëtar e ekstremit të djathtë e Le Pen renditet e dyta, mbrapa konservatorëve të ish-presidentit Nicola Sarcozy që duket se morën shumicën.

Partia e zonjës Le Pen pritej të kryesonte raundin e parë të votimit dhe të fitonte të paktën një rajon për herë të parë. Zonja Le Pen nuk kandidoi vetë, por ajo udhëhoqi fushatën.

Ajo e përshkroi pjesëmarrjen e ulët në votime, një abstenim prej 66%, si një “katastrofë qytetare”. Ajo fajësoi qeverinë se kishte dështuar të nxiste besimin e qytetarëve tek institucionet politike.

“Le ta pranojmë, rezultatet tregojnë një abstenim të thellë dhe gjithashtu historik prej gati 70% për shkak të mosbesimit ndaj sistemit zgjedhor, i cili u lë votuesve ndjenjën se asgjë nuk mund të ndryshojë, se gjithçka është konfiskuar”, tha ajo.

Për momentin, të vetmit që janë të kënaqur janë njerëzit e së djathtës goliste, Républicains, partia konservatore e Sarkozy që është në skenën politike me Xavier Bertrand, presidenti i rajonit Hauts-de-France që me shumë mundësi do të rikonfirmohet. Bertrand është protagonisti i kryeveprës politike të ditës dhe jo rastësisht ishte ndër të parët që mori fjalën me tone solemne dhe luftarake, që tani si kandidat i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale (pranverë 2022): “Pesë vite më parë, natën e turnit të parë, ishim të dytët, 16 pikë pas Fronti Kombëtar (që tani quhet Marshimi i Kombëtar). Këtë herë, gratë dhe burrat e Rajonit Hauts-de-France dhanë një rezultat të qartë pro nesh. Kanë mirënjohjen time të thellë. Ia thyem nofullat Marshimit Kombëtar”.

Votuesit po zgjedhin këshillat e rinj vendorë në 13 rajone të Francës, plus një jashtë territorit, si dhe 96 departamente. Në zgjedhje morën pjesë mbi 15,700 kandidatë. Këto zgjedhje po ndiqen nga afër, sepse konsiderohen një letër lakmuesi për zgjedhjet e ardhshme presidenciale që janë më pak se një vit larg.

Një Exit Poll i IPSOS tregoi se konservatorët e Les Républicains fituan në raundin e parë 27% të votave, ndjekur nga Marshimi Kombëtar i Le Pen me 19%. Të Gjelbrit, Partia Socialiste dhe En Marchee presidentit Macron kanë marrë të gjitha 11%.