Politika Partitë holandeze: Të rikthehen vizat për shqiptarët

Partitë holandeze: Të rikthehen vizat për shqiptarët

Tri parti holandeze kërkojnë rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët. PVV, CDA dhe SP e shohin këtë si mënyrën e vetme për t’i dhënë fund aktiviteteve kriminale të shtetasve tanë në Holandë.

Media De Telegraph, e cila shkruan mbi çështjen, pohon se sipas të dhënave policore kriminelët nga vendet e Ballkanit janë gjithnjë e më aktivë ne botën e nëndheshme të Amsterdamit dhe po përpiqen të kontrollojnë tregtinë e kokainës.

Sipas deputetit të Partisë Nacionaliste për lirinë, Sietse Rindert Fritsma ky realitet lidhet ngushtë me lirinë e lëvizjes së shqiptarëve në vendet Shengen. “Ishte diçka e pritshme; kriminelët përfitojnë nëse nuk ka kontrolle”, u shpreh ai.

Pjesëtarja e partisë Kristian Demokrate CDA, Madeleine Van Toorenburg kërkon rikthimin e menjëhershëm të vizave për shqiptarët. “Dua të di se kë kemi në shtëpi. Së shpejti, do të zhvillohet një debat me ministrat lidhur me çështjen”, mësohet të ketë thënë ajo.

Në një mendje me të është edhe socialisti Jasper Van Dijk: “Duhet të ketë një procedurë frenuese për rikthimin e regjimit të vizave në rast emergjence”.

Holanda ka qenë një prej vendeve më skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për shqiptarët.