Sport Partizani i përgjigjet policisë: E vendosur, luajmë në “Selman Stermasi”

Partizani i përgjigjet policisë: E vendosur, luajmë në “Selman Stermasi”

Shkresa e Policisë së Tiranës, e ditës së djeshme, që nuk merrte përsipër garantimin e mbarëvajtjes së ndeshjes Partizani-Vllaznia në “Selman Stermasi”, duke paralajmëruar trazira mes tifozërive, nuk merret parasysh nga klubi i kuq.

Si organizatorë të kësaj sfide të javës së 20-të të Superiores, 15 herë kampionët e vendit thonë se do të luhet aty, sikurse është parashikuar dhe është arritur marrëveshja trepalëshe, Tirana-Partizani-Bashkia.

I pyetur mbi situatën e krijuar, drejtori i “demave”, Genc Tomorri, pohon me bindje dhe në mënyrë të shkurtër: “Partizani-Vllaznia, edhe ndeshjet e tjera tonat si pritës, do të luhen në stadiumin “Selman Stermasi”. Ka një marrëveshje trepalëshe për këtë gjë, ndaj nuk ka asnjë ndryshim destinacioni. Është vendosur, pavarësisht shkresës dhe hezitimit të policisë.”

Ndërkohë, FSHF-ja e ka lënë veten jashtë këtij diskutimi, sepse është klubi organizator që vendos, që garanton marrëveshjen me policinë dhe poseduesin e stadiumit :“Marrja e masave për sigurinë gjatë një ndeshjeje futbolli në kampionatin tonë është përgjegjësi direkte e klubit organizator, në rastin konkret Partizanit. Drejtuesit e të kuqve duhet të dorëzojnë në FSHF marrëveshjet përkatëse me poseduesit e stadiumit dhe policinë. Ne jemi ende në pritje të kontratave përkatëse, për t’i homologuar si FSHF.”