Sport Partizani nis “mission impossible 2”, Broja: Besojmë të kualifikimi

Partizani nis “mission impossible 2”, Broja: Besojmë të kualifikimi

Skuadra e Partizanit ka mbërritur në Azerbajxhan për ndeshjen e kthimit të raundit të parë eliminator të Champions League. Kampionët e Shqipërisë u nisën nga aeroporti i Rinasit në orën e para të mëngjesit e tashmë është akomoduar në kryeqytetin Baku.

Qarabagu është një nga skuadrat më të forta të turit të parë kualifikues të Champions Leagues. Azerët kanë histori dhe në arenën europiane, pasi kanë shkuar shpesh në grupet e Champions Leagues dhe Europa Leagues. Trajneri Franco Lerda dhe djemtë e tij kanë shprehur besim se mund ta kalojnë me sukses.

Broja: Besojmë të kualifikimi

Rron Broja ka pak kohë që ka veshur fanellën e kuqe, por, gjithsesi, ka përqafuar mendësinë e kampionëve dhe besimi tek vazhdimi i kësaj aventure nuk mungon në fjalët e 23-vjeçarit.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, e dimë se çfarë force ka Qarabagu. Gjithsesi, ne jemi përgatitur shumë mirë dhe besojmë se mund të kualifikohemi”.

Në takimin e parë trajneri Lerda e aktivizoi për 22 minuta, mesfushori me tipare mbrojtëse tregon mënyrën sesi e përjetoi debutimin me ngjyrat e një prej klubeve më të mëdha në Shqipëri.

“Falënderoj trajnerin që më dha rastin të luaj disa minuta. Besoj se do të kem më shumë hapësira. Ky është vetëm fillimi dhe u ndjeva mjaft mirë në fushë”.

Në maj, kur Partizani festonte me trofeun e kampionatit pas 26 vitesh, Broja ishte pjesë e Shkupit. Synimi i futbollistit nga Mitrovica është të jetë aty në fushën e lojës kur “demat” të festojnë titullin numër 17 kampion.

“Është skuadër e madhe Partizani, besoj se edhe këtë vit do të shpallemi kampion”, përfundoi ai.