Sport Partizani nuk shkëputet dot!

Partizani nuk shkëputet dot!

Partizani nuk shfrytëzon dot mundësinë për tu shkëputur në krye të renditjes dhe për të vendosur njërën dorë te titulli kampion. Të kuqtë  u mposhtën 1-0 në Laç nga bardhezinjtë e Besnik Prengës të cilët konsiderohen edhe si macja e zezë e të mëdhave në Kategorinë Superiore.

Një gabim i Atandës dhe një vendim i dyshimtë i anësorit Rejdi Avdo për të ndryshuar vendimin e kryesorit Klajdi Kola që akordoi faull në limitet e zonës, duke akorduar penallti për një ndërhyrje brenda zone të mbrojtësit nigerian ndaj Elvi Berishës, i mjaftoi Laçit për të marrë fitoren e parë në kampionat në vitin 2019 dhe për të mbajtur më të hapur se kurrë garën për titull në Superiore.

Në minutën e 13-të Shtubina mposhti Alban Hoxhën nga 11 metra distancë, një gol që u mjaftoi vendasve për të marrë tre pikët dhe për të hedhur pas shpatullave krizën e javëve të fundit.

Pas kësaj humbjeje të Partizanit diferenca mes vendit të parë dhe atij të dytë nga 8 pikë që ishte një javë më parë është ngushtuar në 7 pikë pas fitores së Teutës ndaj Kukësit që ngjiti durrsakët në vendin e dytë.

Pavarësisht përpjekjeve, Partizani nuk kishte saktësinë e duhur në finalizimin e aksioneve dhe nuk arriti të ndryshonte shifrat 1-0. Kjo ishte humbja e 4-t sezonale për Partizanin që tashmë duhet të ringrihet në sfidën ndaj Flamurtarit.

Bëri surprizën e madhe Kastrioti që me një gol në minutat shtesë të ishit të madh Ersil Ymeraj mposhti 1-0 Kamzën në shtëpinë e këtyre të fundit, duke lënë pikërisht në vendin e fundit të renditjes skuadrën e Gjokës dhe duke ringjallur më shumë se kurrë shpresat për mbijetesë. Kjo ishte edhe një fitore e madhe për krutanët dhe një disfatë e rëndë për Kamzën, por edhe një hakmarrje e vogël e trajnerit të Kastriotit Bledar Devolli që e nisi sezonin te Kamza por u shkarkua pas vetëm 3 javësh.

Kastrioti ka marrë “fytyrën” luftarake të Devollit tashmë dhe me këtë sukses u ngjit në kuotën e 19 pikëve.