Sport Partizani presion Vllaznisë, triumfon ndaj Kukësit me ”fair-play”

Partizani presion Vllaznisë, triumfon ndaj Kukësit me ”fair-play”

Një perlë e Erald Çinarit në pjesën e dytë i dha fitoren Partizanit (1-2) përballë Kukësit në “Elbasan Arena” si dhe vendin e dytë në Superiore, tashmë jo me 6, por me 4 pikë më pak se Vllaznia kryesuese, me garën për titull që bëhet më e zjarrtë.

Për të tretën herë radhazi në këtë sezon të kuqtë mposhtin verilindorët, dy herë me Gegën në stol dhe këtë të diel me Mirel Josën.

Barazimi i Vllaznisë në fushën e Skënderbeut ishte një motiv më shumë për skuadrën e Ilir Dajës në këtë përballje me Kukësin. Të kuqtë u shfaqën me ambiciozë që në pjesën e parë, gjatë së cilës të dyja skuadrat ngacmuan portat respektive: Eneo Bitri në minutën e katërt me tentativë me kokë, Dragoshi i Kukësit në të 36-tën si dhe Mala në të 42-tën.

Pjesa e dytë nisi me dominimin territorial të të kuqve, që, falë lojtarëve cilësorë që kanë në përbërje, zhbllokuan takimin në minutën e 63-të me një supergol të Erald Çinarit. Meritë e veçantë e Jasir Asanit që punon bukur nga e djathta, kroson në zonë për shkodranin që fluturimthi mposht portierin Xhika.

Në minutën e 77-të Agim Ibraimi e ka të pamundur të vazhdojë me tej, lë fushën për Vesel Limajn.

Moment i pazakontë në minutën 88-të. Eraldo Çinari tenton portën, por godet një mbrojtës, i cili mbetet i dëmtuar. Nuk e vlerëson si një rast për “fair play” Valentino Murataj, që sulmon topin dhe shënon në një kohë kur lojtarët e Kukësit ishin ndalur. Një gol teknikisht i rregullt, që nuk mund të anulohej nga gjyqtari, por futbollistët e kuq në rinisjen e topit nga qendra i hapin portën Vesel Limajt, për të mos marrë asgjë të pamerituar në këtë sfidë.

Në ato pak minuta të mbetura, Partizani e administroi me qetësi lojën, duke e merituar këtë sukses që ia rrit kuotat në garën për titullin kampion.