Sport Partizani sulmon FSHF-në: Burracakë, cënon garën për titullin kampion

Partizani sulmon FSHF-në: Burracakë, cënon garën për titullin kampion

Partizani ka reaguar ndaj vendimit të Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së, që dënoi 4 ndeshje tifozët e tij, për të mos e ndjekur skuadrën e zemrës.

15 herë kampionët e vendit akuzojnë se me këtë sjellje, FSHF-ja është bërë palë me skuadra të veçanta, duke i favorizuar indirekt, duke prishur garën e drejtë e të ndershme.

Në deklaratën për shtyp thuhet: “Klubi ynë shpreh shqetësimin për favorizimet që FSHF-ja po u bën ekipeve të caktuara në kampionat dhe vazhdon të dëmtojë në mënyrë të personalizuar Partizanit. Vendimi i Disiplinës është një tjetër sulm direkt i FSHF-së, pasi, edhe pse prezumohet të jetë një organ gjyqësor i pavarur, minimalisht bazohet te relacionet e zyrtarëve të FSHF-së në atë ndeshje. Denoncuam menjeherë pas ndeshjes faktin që grupimi i tifozëve të Partizanit u provokua me gurë, që vinin nga jashtë stadiumit, prej të cilëve u dëmtuan edhe disa prej tifozëve.

Dy tifozeritë gabuan që hodhën sende në fushë, çka u vu re qartë edhe në televizor, por edhe nga zyrtarët e FSHF-së.

Ndryshimi te tifozët e Partizanit ishte se ndodhi në kushtet e vetëmbrojtjes dhe gjatë momentit që po goditeshin nga gurët që vërshonin, por edhe nga shkopinjtë e gomës së policisë. Ndërsa tifozeria vendase e kishte të pajustifikuar hedhjen e stolave në fushë.

Në tribunën qendrore janë hedhur sende të forta, prej të cilave u goditën dy persona, njëri prej të cilëve u gjakos sipër vetullës. I radhitëm këto argumenta për të sqaruar opinionin se si federata ka vendosur të dalë hapur, si një organ opozitar ndaj futbollit të drejtë dhe garës së ndershme sportive. E cilësojmë të palogjikshme që provokuesit dhe dhunuesit të gjobiten, ndërsa viktimat të dënohen me 4 ndeshje.

Këto vendime maskaradë të federatës, që merr guximin të cënojë në mënyrë të hapur garën për titullin kampion, thjesht na bëjnë më të fortë.

Partizani i garanton FSHF-së se, pavarësisht këtyre pengesave që na bën dhe favorizimeve ndaj rivalëve direktë, na bën më të fortë, më të egër në realizimin e objektivave, duke luajtur me ndershmëri.

Gjithashtu, premtojmë se do të marrim masa ndaj sulmeve tendencioze dhe burracake…”