Sport Partizani vijon marshimin, Luftëtari bën surprizën në Laç

Partizani vijon marshimin, Luftëtari bën surprizën në Laç

Partizani nuk shkëlqen, por tregohet cinik dhe merr ato që i duhen më shumë në sfidën e komplikuar përballë Kamzës, 3 pikët që vijnë falë fitores minimale 0-1 dhe e mbajnë skuadrën në krye të renditjes me 5 pikë më tepër se Kukësi ndjekës.

Pjesa e parë ishte shumë e luftuar nga të dy skuadrat, me Kamzën që ishte dukshëm më kërkuese dhe më e angazhuar për të bërë mirë, ndërsa Partizani u zgjua në pjesën e dytë dhe arriti të shënojë me anë të Jasir Asanit në minutën e 56’, një gol disi edhe me fat.

Më pas skuadra e Gegës administron mirë lojën, duke qarkulluar topin dhe duke mbajtur Kamzën sa më larg portës së mbrojtur nga Alban Hoxha, një strategji kjo që nxori me 3 pikë skuadrën e Partizanit.

Luftëtari ka befasuar në Laç, pasi ka arritur të dalë me pikë të plota nga një transfertë vërtetë e vështirë, falë fitores 0-2, të siguruar që në pjesën e parë të sfidës.

Gjirokastritët lanë pas problemet ekonomike, që u shoqëruan edhe me largimin e disa titullarëve, por edhe trajnerit Mezani, dhe arritën të reagojnë sot, duke treguar një provë force dhe karakteri.

Të drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj, i cili u ul në stol vetëm në fillim të kësaj jave, bluzinjtë gjetën avantazhin që në minutën e dytë me anë të Kocionis, ndërsa dyfishuan shifrat me anë të Aleksit në minutën e 40-ë.

Nga ana tjetër, vendasit e drejtuar nga trajneri Besnik Prenga, shtuan intensitetin dhe reaguan bindshëm në pjesën e dytë, por nxorën edhe njëherë në pah problemet në sulm, pasi për të dytën ndeshje me radhë, nuk arritën të shënojnë asnjë gol.

Pas zhvillimit edhe të javës së 20-ë të Kategorisë Superiore, Partizani mbetet në krye dhe ruan distancën prej 5 pikësh nga Kukësi ndjekës, ndërsa në zonën e ftohtë Kamza zbret në vendin e fundit, pasi parakalohet nga Kastrioti, dhe Luftëtari e Tirana hedhin një tjetër hap për t’iu larguar rrezikut.