Kulturë Pas 3 vitesh, Elvana Gjata flet për jetën, muzikën dhe planet e...

Pas 3 vitesh, Elvana Gjata flet për jetën, muzikën dhe planet e së ardhmes

Elvana Gjatën e shohim rrallë nëpër studio televizive të japë intervista. Pas thuajse 3 vitesh, që nga intervista e saj e fundit në “Xing me Ermalin”, këngëtarja u rikthye këtë mbrëmje në Soiree. Ajo foli rreth vështirësive dhe jetës gjatë pandemisë, prapaskenave të “Çelu” dhe planeve të tjera artistike.

“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Të dëgjoje njerëz që humbnin jetë, ndërkohë që duhet të gjeje frymëzimin që të bëje muzikë, të gjeje qetësinë e brendshme, paqen. Përpiqesha t’i shmangia, por ishte e pashmangshme”, u shpreh Elvana, teksa përmendi se momenti i vështirë për të gjatë pandemisë ishte infektimi i prindërve me Covid.

Gjatë këtij viti pandemik, mes Pirro Çakos dhe Elvanës filloi dhe bashkëpunimi për albumin “Çelu”, për të cilin të dy thanë se qëllimi ishte të bënin “muzikë shqiptare qytetare, të ardhur në një formë të freskët”. Në lidhje me bashkëpunimin, Elvana tha se “është e nderuar të punojë me Pirro Çakon“.

Megjithatë, projekti “Çelu”, fillimisht ishte menduar të publikohej në 8 mars.

“Në fakt këtë projekt doja që t’ia kushtoja gruas shqiptare, prandaj zgjodha datën 8 mars. Ishte një projekt për të cilin kam punuar shumë me Dalina Buzin, skenariste, regjisore dhe ndër njerëzit më kreativë dhe ‘cool’ që unë njoh dhe jam me fat që kam mundësinë të punoj me të. Projekti, në fillim ka qenë një film muzikor dhe absolutisht që do punojmë që ta bëjmë të mundur këtë gjë në një kohë të dytë.”

Mes pyetjeve të publikut, Elvana i përgjigjet pyetjes “a plakesh ndonjëherë?” me ca sekrete të thjeshta bukurie: Fle mirë, ha vakte të shëndetshme, nuk pi alkool, është vegjetariane, ndonjëherë edhe vegane dhe bën stërvitje rregullisht.

Në pjesën e dytë, intervistës i bashkohet edhe motra e Elvanës, Migena Gjata, soprano me një karrierë të suksesshme në Gjermani, në një rrëfim personal për marrëdhënien e tyre.

Duke rikujtuar fëmijërinë, Migena kujton se ishte ajo që e dalloi se që në moshë të vogël, Elvana ishte e talentuar. Gjatë asaj kohe, Migena ishte ende vetëm një nxënëse e muzikës që përgatitej të studionte në Liceun Artistik. Edhe pse jetojnë në dy vende të ndryshme, Gjermani dhe Shqipëri, largësia nuk ka arritur ta zbehë lidhjen e ngushtë mes tyre.

Kënga “Vendi im” është bashkëpunimi i parë i dy motrave, pjesë e albumit “ÇELU”. Gjatë intervistës, autori i këngës, Pirro Çako, tha se kënga është një dedikim për të atin, por edhe për gjithë njerëzit që ndjejnë mall për dikë që nuk e kanë pranë fizikisht, një dedikim për distancën. Në këtë aspekt, kënga ka një kuptim të veçantë edhe për Elvanën dhe motrën e saj.