Opozita Pas Agron Shehajt, edhe Bardh Kadilli takohet me Yuri Kim. Berisha nuk...

Pas Agron Shehajt, edhe Bardh Kadilli takohet me Yuri Kim. Berisha nuk përmendet

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli është shprehur se ditën e sotme ka zhvilluar një takim me ambasadoren Amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Sipas asaj që ka thënë Kadilli biseda e gjatë që ai kishte me Yuri Kim u përqendrua te zhvillimet politike në PD dhe në vend, ndërsa nuk përmendet shpallja non grata e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të gjatë dhe të frytshëm me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim. Biseda u përqëndrua te zhvillimet politike në PD dhe në vend. Jam i lumtur që shpreha në takimin me të dërguarën e vendit më demokratik në botë, dhe aleatit strategjik të Shqipërisë, një zë të protestës kundër mënyrës si shkojnë gjërat në Shqipëri por edhe në partinë time, siç edhe shpalosa Manifestin Politik, jo vetëm për demokratët, por edhe shoqërinë. Me zonjën Kim ndamë mendimin se Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm dhe se, në fillesat e saj është dora e pamohueshme amerikane. Gjithashtu në takim nënvizuan faktin e pamohueshëm se Uashingtoni dhe Shqipëria, nën udhëheqjen e PD kanë punuar bashkë dhe bërë shumë gjëra të mira. Për gjërat e mira, për të ardhmen, por edhe ruajtjen e traditës dhe mësimeve të saj, ishte biseda sot. Si kandidat për kryetar i PD dhe si demokrat nuk mund të mos i shpreh mirënjohjen Ambasadores Kim dhe vendit të saj te i cili shohim jo vetëm partneritetin dhe miqësinë, por edhe misionin e përbashkët për një botë më të mirë dhe të ardhme më të sigurt. Zoti e bekoftë Shqipërinë! God bless United State of America!”.

Edhe Agron Shehaj është takuar me ambasadoren amerikane, ndërsa pritet edhe takimi i Edit Harxhit me diplomaten amerikane.