Bota Pas koronavirusit, qyteti kinez ndalon ngrënien e maceve dhe qenve

Pas koronavirusit, qyteti kinez ndalon ngrënien e maceve dhe qenve

Shenzhen është bërë qyteti i parë kinez që ndalon shitjen dhe konsumimin e mishit të qenve dhe maceve.

Ky vendim vjen pasi shpërthimi i pandemisë së koronavirusit u lidh me mishin e kafshëve të egra, duke bërë që autoritetet kineze të ndalonin tregtinë dhe konsumin e kafshëve të egra.

Por qyteti i Shenzhen-it shkoi një hap më tej, duke ndaluar dhe shitjen dhe konsumin e mishit të qenve dhe maceve.

Ligji i ri do të hyjë në fuqi më 1 maj, shkruan BBC.

Tridhjetë milionë qen në vit vriten në të gjithë Azinë për mish. Sidoqoftë, praktika e ngrënies së mishit të qenve në Kinë nuk është aq e zakonshme, shumica e njerëzve kinezë nuk e kanë bërë kurrë këtë dhe thonë që nuk duan.

“Qentë dhe macet si kafshë shtëpiake kanë krijuar një marrëdhënie shumë më të ngushtë me njerëzit se sa të gjithë kafshët e tjera, dhe ndalimi i konsumit të qenve dhe maceve dhe kafshëve të tjera shtëpiake është një praktikë e zakonshme në vendet e zhvilluara dhe në Hong Kong dhe Tajvan”. tha qeveria e qytetit të Shenzhen. “Ky ndalim i përgjigjet gjithashtu kërkesës dhe shpirtit të civilizimit njerëzor.”