Bota Pas shqiptarëve dhe maqedonasve, Emmanuel Macron zemëron bullgarët

Pas shqiptarëve dhe maqedonasve, Emmanuel Macron zemëron bullgarët

Pas pakënaqësisë që u shkaktua në Ballkan, për Jo-në e Francës e qëndrimin pritës të presidentit, Emannuel Macron për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, tani presidenti francez zemëron bullgarët. Një deklaratë e Macron vihet në qendër të mediave bullgare e shoqëruar me reagime nga politika. “Askush nuk i jep atij të drejtën të fyejë popullin bullgar”, është shprehur zëvendëskryeministri dhe ministër i Mbrojtjes në Bullgari, Krasimi Karakatshanov të shtunën në televizionin privat bullgar, bTV në Sofje.

Sipas agjencisë së lajmeve, dpa të enjten në një intervistë të revistës franceze, me orientim të djathtë, “Valeurs Actuelles”, presidenti francez kishte theksuar, se do të veprojë me të gjithë forcën kundër shoqërive paralele dhe imigracionit ilegal në Francë. “Unë preferoj emigrantë legalë nga Guinea apo Bregu i Fildishtë (…) në vend të bandave ukrainase apo bullgare”, citohet presidenti francez.

Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Sacharieva ka porositur ambasadorin bullgar në Paris të dërgojë një notë proteste në Ministrinë e Jashtme franceze. Ndërkohë edhe ambasadorja e Francës në Sofje, Florence Robine është thirrur për të hënën në Ministrinë e Jashtme të Bullgarisë, bëri të ditur televizioni shtetëror në Sofje.

Kritikët e akuzojnë presidentin francez, shkruan dpa, se me këtë intervistë ai po pozicionohet që tani për fushatën zgjedhore presidenciale, 2022 kundër Marine Le Pen. Populistja e djathtë kishte deklaruar së fundmi, se do të rikandidojë sërish për zgjedhjet presidenciale.