Bota Pas Suedisë, edhe Danimarka e shqetësuar: Imuniteti i tufës, i dështuar

Pas Suedisë, edhe Danimarka e shqetësuar: Imuniteti i tufës, i dështuar

Vetëm rreth 1 përqind e danezëve kanë qenë në kontakt me koronavirusin, që do të thotë se ekziston mundësia e një vale të dytë të epidemisë, njoftuan autoritetet shëndetësore të vendit nordik.

Studimi u botua në momentin kur parlamentarët danezë u pajtuan për një fazë të re të hapjes së vendit.

Nga 2.500 danezët e zgjedhur rastësisht për studimin, 1.700 u pajtuan që të testohen për të përcaktuar praninë e antitrupave në koronavirus.

Midis tyre, vetëm 12 kishin antitrupa ndaj Sars-CoV-2.

Autoritetet theksuan se këto janë rezultate paraprake dhe se është akoma e pamundur të thuhet nëse këto rezultate janë të zbatueshme për popullsinë e përgjithshme daneze.

Sidoqoftë, ekspertët thanë se rezultatet ishin shqetësuese pasi ata treguan se Danimarka mund të goditej nga një valë e dytë e epidemisë.

“Në një nivel kolektiv, ne nuk kemi rezistencë dhe kjo do të thotë se ka mundësi që epidemi të rishpërthejë,” tha Jens Lundgren, një specialist i sëmundjeve infektive në një nga spitalet kryesore të Danimarkës.

Sipas shifrave të fundit, Danimarka ka regjistruar 11,182 infeksione dhe 561 vdekje.

Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar shtetet të mos mbështeten në krijimin e imunitetit kolektiv ose “imunitetin e tufës”.

Javën e kaluar, ajo njoftoi se hulumtimet në të gjithë botën kishin treguar se antitrupat u gjetën në vetëm midis 1 dhe 10 përqind të popullsisë, që përkon me rezultatet e fundit në Spanjë dhe Francë.